
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sulmuar ashpër kryeministrin Edi Rama gjatë një takimi me mbështetësit demokratë në Lezhë, duke e cilësuar atë si “kriminelin më të rrezikshëm” në krye të shtetit dhe duke e akuzuar për përpjekje për të penguar drejtësinë.
Në fjalën e tij, Berisha përfshiu në akuza edhe drejtues të tjerë të mazhorancës, duke përmendur Taulant Ballën dhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Sipas tij, qeveria po përdor pushtetin dhe imunitetin politik për të mbrojtur zyrtarë të përfshirë në afera korruptive.
“Po shfaqet fytyra e vërtetë e Edi Ramës, i cili thotë se nuk i njeh vendimet e drejtësisë dhe se do të përdorë imunitetin për të mbrojtur njerëzit e tij,” deklaroi Berisha, duke iu referuar edhe drejtueses së AKSHI-t dhe figurave të tjera të lidhura, sipas tij, me qeverinë.
“Mos harroni asnjëherë se nuk ekziston askund një kriminel më i rrezikshëm dhe një hajdut më i madh sesa Edi Rama në qeveri, Taulant Balla në krye të Grupit Parlamentar dhe Lubi Balluku me të tjerë,” u shpreh Berisha.
Lideri demokrat akuzoi kryeministrin se ka shpërfillur interesat e qytetarëve, duke përmendur mungesën e ilaçeve në spitale, kushtet në shkolla, si dhe nivelin e ulët të pagave dhe pensioneve në krahasim me vendet e rajonit. Ai tha se, sipas opozitës, shkeljet dhe vjedhjet e denoncuara prej saj “tashmë po faktohen”.
Berisha lëshoi gjithashtu një paralajmërim të drejtpërdrejtë ndaj Ramës, duke deklaruar se çdo përpjekje për të penguar drejtësinë do të ketë pasoja. “Nëse pengon drejtësinë, do të përfundosh si babai yt shpirtëror, Enver Hoxha,” u shpreh ai.
Në përfundim, Berisha theksoi se opozita nuk do të pranojë, sipas tij, përdorimin e imunitetit për t’i shpëtuar përgjegjësisë ligjore, duke e mbyllur fjalën me një mesazh të fortë politik nga Lezha.