Vendosni fjalën kyçe....

Moska riorganizon eksportet për të ruajtur dërgesat e naftës drejt Indisë


Rusia po riorganizon zinxhirët e furnizimit për t’i mundësuar Indisë vazhdimin e importeve të naftës së lirë ruse, pavarësisht sanksioneve të reja të SHBA-së, sipas analizave të tregut të publikuara nga The Guardian.

India është sot blerësi i dytë më i madh në botë i naftës ruse, e cila shitet me çmime të ulëta që prej nisjes së luftës në Ukrainë dhe goditjes së Moskës me sanksione perëndimore.

Megjithatë, marrëdhëniet SHBA–Indi janë tensionuar ndjeshëm pasi Presidenti Donald Trump e akuzoi Nju Delhin se po financon luftën e Vladimir Putin-it.

Në verë, Trump goditi Indinë me një tarifë ndëshkuese prej 25% mbi eksportet drejt SHBA-së, duke kërkuar ndalimin e blerjeve të naftës ruse. Javën e kaluar, administrata Trump rriti presionin me kërcënimin për tarifa deri në 500% dhe tërheqje nga iniciativa të udhëhequra nga India.

Ndërkohë, efektiviteti i sanksioneve të fundit amerikane, që synojnë blerësit e naftës nga Rosneft dhe Lukoil është vënë në dyshim.

Importet indiane ranë nga 1.7 milionë fuçi në ditë në rreth 1.2 milionë në dhjetor, por katër nga shtatë rafineritë kryesore të Indisë vazhdojnë të punojnë kryesisht me naftë ruse.

Analistët thonë se Rusia është duke përdorur kompani të reja eksportuese për të vepruar si ndërmjetës, një mënyrë për të shmangur direkten me Rosneft dhe Lukoil, duke i mbajtur blerjet jashtë shënjestrës së sanksioneve amerikane.

“Po shfaqen lojtarë të rinj – një shenjë se Rusia po riorganizon furnizimin,” tha Homayoun Falakshahi i Kpler.Brenda dy ose tre muajsh pritet që shumica e naftës ruse të vijë nga kompani që nuk janë në listën e sanksioneve.”

India nuk ka dhënë urdhër politik që të ndalohen blerjet e naftës ruse, ndërsa Putin, gjatë vizitës së tij në dhjetor, garantoi se furnizimet do të mbeten “të pandërprera”.

Çmimet e favorshme të naftës ruse, deri në 10 dollarë për fuçi më lirë se nga Arabia Saudite apo Iraku, mbeten një përfitim i rëndësishëm ekonomik për një vend që importon 90% të nevojave të tij të naftës.

Falakshahi vlerëson se kursimet mund të arrijnë deri në 4 miliardë dollarë në vit, duke bërë që importet, veçanërisht nga sektori publik indian, të kthehen në nivelet e mëparshme.

Ndërkohë, gjiganti privat Reliance ka ndërprerë importet e naftës ruse për të shmangur rrezikun e shkeljes së sanksioneve amerikane dhe atyre të BE-së, pasi një pjesë e prodhimit të tij shkon në tregun europian.

Kompania po shqyrton rikthimin te nafta venezueliane, pas sinjaleve se Uashingtoni mund të lejojë rifillimin e blerjeve pas zhvillimeve të fundit politike në Caracas.