Vendosni fjalën kyçe....

I burgosuri pjesëtar i grupit të ‘Çopjave’ arratiset nga Spitali i Durrësit gjatë një vizite mjekësore


Një arratisje ka ndodhur sot në spitalin rajonal të Durrësit, ku i burgosuri Altin Ndoci, pjesë e grupit kriminal të njohur si “Çopjat”, ka mundur t’i shpëtojë forcave të sigurisë gjatë një vizite mjekësore

Ndoci, i arrestuar në maj të vitit 2020 me urdhër të SPAK për vrasjen e katër personave, ka goditur policin që e shoqëronte në dhomë dhe më pas është larguar me shpejtësi nga godina.

Sipas burimeve për Report TV, i dënuari ka arritur të dalë nga dhoma ku po kryente ekzaminimet dhe të zbresë me nxitim nga kati i tretë i infektivit, duke përdorur shkallët, përpara se forcat e Policisë së Burgjeve të mund të ndërhynin.

Në një njoftim paraprak, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve konfirmoi arratisjen, duke deklaruar se, pavarësisht reagimit të menjëhershëm të stafit të sigurisë, Ndoci ka mundur të largohet nga ambientet e spitalit.

Strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në deklaratë.

Kush është Altin Ndoci?

Ndoci akuzohet për vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia, si edhe të Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë, ngjarje që lidhen me masakrën e Bradasheshit dhe ekzekutimin e Andi Zylyfit.

Ai konsiderohet një prej pjesëtarëve të rëndësishëm të grupit të strukturuar kriminal të “Çopjave”.

Pas arratisjes, në qytetin e Durrësit janë ngritur postoblloqe në disa zona, ndërsa policia po kryen kontrolle të zgjeruara për kapjen e tij.