Vendosni fjalën kyçe....

Situatë emergjente për shkak të reshjeve të dendura, AKMC: Kujdes maksimal për banorët e zonave të prekura



Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka publikuar një njoftim zyrtar mbi situatën në vend pas reshjeve intensive të shiut dhe dëborës gjatë orëve të fundit, që kanë përfshirë një pjesë të konsiderueshme të territorit dhe kanë shkaktuar problematika hidrologjike dhe infrastrukturore.

Sipas njoftimit, situata paraqitet më e rëndë në qarqet Shkodër, Durrës, Dibër, Berat, Fier, Korçë dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet e tjera problematikat janë më të kufizuara dhe të menaxhueshme. Strukturat e emergjencave civile, nën koordinimin e Agjencisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes, ndodhen në terren dhe po punojnë për përballimin e pasojave dhe stabilizimin e situatës.

  • Shkodër: Rritja e lumenjve Drin, Kir dhe Bunë ka shkaktuar prezencë të ujit në zonat e Obotit dhe Dajçit, si dhe përmbytje të tokave bujqësore në Urrelat–Shirq. Aksi rrugor Obot–rruga kryesore është i pakalueshëm për mjetet e ulëta, por argjinaturat, kanalet kulluese dhe diga e rezervuarit të Shkodrës funksionojnë normalisht.

  • Durrës: Situata po përmirësohet në Sukth dhe Katund të Ri, megjithatë ujë ka ende në rreth 1 800 hektarë tokë bujqësore dhe disa banesa në Këneta dhe Shkozet. Janë liruar akse rrugore dhe janë funksionalizuar shkarkuesit për të shmangur përkeqësimin e situatës.

  • Dibër: Dëborë e dendura ka shkaktuar bllokime rrugësh dhe ndërprerje të energjisë në disa zona. Qarkullimi në akset kryesore po mbahet i kontrolluar, ndërsa në rrugët rurale po punohet për hapjen e tyre. Vijon operacioni i kërkimit për një shtetas të humbur.

  • Berat: Lumenjtë Osum dhe Devoll kanë shkaktuar përmbytje të tokave bujqësore dhe disa banesave, duke detyruar evakuimin e familjeve për arsye sigurie.

  • Fier: Lumenjtë Seman dhe Shkumbin kanë dalë nga shtrati, duke përmbytur toka bujqësore dhe disa banesa. Strukturat lokale ndodhen në gatishmëri dhe vlerësojnë nevojën për masa shtesë.

  • Korçë dhe Gjirokastër: Problem kryesor janë rrëshqitjet e dheut, dëmtimet infrastrukturore, bllokimet rrugore dhe evakuime të kufizuara të familjeve në zona me rrezik.

Forcat e Armatosura janë angazhuar në disa qarqe me efektivë dhe mjete të specializuara për ndërhyrje emergjente, lirimin e rrugëve, evakuimin e banorëve dhe mbështetjen e autoriteteve vendore.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u bën thirrje banorëve të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin zonat me rrezik përmbytjeje ose rrëshqitjeje dhe të ndjekin udhëzimet e institucioneve përgjegjëse.