Vendosni fjalën kyçe....

PD kallëzon Bashkinë e Durrësit dhe institucione të tjera për përmbytjet, akuzon për keqmenaxhim të situatës



Situata e përmbytjeve në Durrës ka shkaktuar reagime politike, teksa Ilirjana Kuçana, anëtare e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, ka kallëzuar sot në Prokurorinë e Posaçme Bashkinë e Durrësit, Ministrinë e Bujqësisë dhe Drejtorinë e Kullimit për “shpërdorim detyrë”.

Sipas Kuçanës, keqmenaxhimi i institucioneve ka çuar në përmbytje dhe pasoja të mëdha për banorët. Ajo theksoi se përmbytjet e vitit 2025 nuk u trajtuan si duhet dhe se investimet e kryera nuk kanë parandaluar problematikën e përmbytjeve në vitin 2026.

“Ky keqmenaxhim ka prekur qindra mijëra banorë dhe ka shkaktuar përmbytje në zona të ndryshme të vendit. I bëj thirrje drejtuesit të SPAK-ut, Klodian Baraho, që të marrë seriozisht këtë kallëzim,” tha Kuçana.

Ajo akuzoi gjithashtu qeverinë për mosveprim dhe për keqmenaxhim të emergjencave, duke theksuar se situata ka arritur nivele të papranueshme për qytetarët e Durrësit dhe zonave përreth.

Prokuroria e Durrësit do të marrë në shqyrtim kallëzimin dhe do të vendosë mbi hapat e mëtejshëm ligjorë.