
Autoritetet në Kosovë kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar në trafik, pas rënies së ndjeshme të temperaturave dhe reshjeve të borës që kanë përfshirë vendin.
Mbrëmjen e së mërkurës, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) paralajmëroi se rënia e temperaturave pritet të shkaktojë ngrica në rrugët e Kosovës, veçanërisht gjatë natës dhe orëve të hershme të mëngjesit. Sipas IHMK-së, temperaturat minimale do të zbresin nën zero gradë Celsius, duke krijuar kushte të rrezikshme për qarkullimin rrugor.
Policia e Kosovës u bëri apel qytetarëve që të tregojnë kujdes gjatë drejtimit të automjeteve, duke përshtatur shpejtësinë me kushtet atmosferike, duke mbajtur distancën e sigurisë dhe duke qenë të vëmendshëm ndaj mundësisë së ngricave, sidomos në ura, trotuare dhe segmente të lagështa të rrugëve.
“Siguria juaj është prioritet. Kujdesi i shtuar ndihmon në shmangien e aksidenteve dhe ruajtjen e jetës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme me automjete gjatë orëve në vijim, duke e cilësuar natën si kritike për qarkullimin rrugor. Ai theksoi se kontrasti i madh i temperaturave, me parashikime deri në –9 gradë Celsius, rrit rrezikun e ngricave në rrugët e lagura nga reshjet e shiut.
Paralajmërimet vijnë pas vërshimeve të mëdha që kanë goditur disa zona të Kosovës ditët e fundit, duke shkaktuar dëme në prona dhe infrastrukturë, si dhe bllokim të rrugëve. Si pasojë e situatës, autoritetet kanë vendosur që rifillimi i mësimit pas pushimit dimëror të shtyhet për më 12 janar.
Sipas autoriteteve, pavarësisht kushteve të vështira atmosferike, deri më tani nuk raportohet për viktima apo të lënduar.