Vendosni fjalën kyçe....

Durrësi nën ujë, rreth 1 mijë banesa e 337 biznese të përmbytura


Një situatë dramatike po mbizotëron në Durrës dhe rrethinat e tij pas reshjeve të dendura që kanë lënë pas pasoja të rënda sociale e ekonomike.

Të dhënat e fundit zyrtare flasin për dëme të mëdha me 953 banesa dhe 337 biznese të pushtuara nga uji, ndërsa 160 banorë mbeten të evakuuar në qendrat e konvalishencës.

Goditjen më të rëndë e kanë marrë zonat e ish-Kënetës, Shkozetit (Lagjja 14) dhe Plazhit. Pamjet më tronditëse vijnë nga blloku i banesave pranë Burgut të Durrësit, ku mungesa e energjisë elektrike dhe izolimi total ka detyruar banorët dhe punonjësit e institucionit të lëvizin me gomone nëpër rrugët e shndërruara në kanale.

“Larguam fëmijët në mes të natës. Çdo gjë që kishim brenda është shkatërruar. Kemi mbetur në katet e dyta, pa drita dhe pa asnjë ndihmë,” rrëfen një banor i ish-Kënetës.

Akuza për infrastrukturën: Pse dështoi investimi 20 milionë euro?

Përtej intensitetit të rreshjeve, gishti i përgjegjësisë po drejtohet nga mungesa e mirëmbajtjes. Kanali i ujërave të bardha që lidh Plazhin me Shkozetin ka dalë nga shtrati si pasojë e mospastrimit gjatë verës.

Më serioze mbetet akuza e banorëve dhe opozitës për Hidrovorin e Ri. Pavarësisht një investimi prej 20 milionë eurosh, sistemi pretendohet se nuk funksionon, duke bërë që uji të kthehet mbrapsht në lagjet e banuara.

Harta e përmbytjeve është shtrirë me shpejtësi edhe në zonat rurale. Në Manëz, Sukth dhe Katund i Ri, mbi 1 mijë hektarë tokë bujqësore janë nën ujë, duke kërcënuar seriozisht ekonominë e zonës.