
Delcy Rodríguez u përmend në një raport të inteligjencës si një sundimtare e përkohshme e mundshme që mund të mbante rendin
Një vlerësim i fundit i klasifikuar i inteligjencës amerikane ka përcaktuar se anëtarët e lartë të regjimit të Nicolás Maduros – përfshirë zëvendëspresidenten Delcy Rodríguez – do ishin në pozicionin më të mirë për të udhëhequr një qeveri të përkohshme në Karakas dhe për të ruajtur stabilitetin afatshkurtër nëse autokrati do humbiste pushtetin, thanë njerëz të njohur me çështjen.
Analiza e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) iu bë e ditur Presidentit Trump dhe u nda me një rreth të ngushtë zyrtarësh të lartë të administratës, sipas dy prej këtyre personave. Ky ishte një faktor në vendimin e Trump për të mbështetur zëvendëspresidenten e Maduros në vend të shefes së opozitës dhe fitueses së Çmimit Nobel për Paqe, María Corina Machado, thanë disa nga personat.
Vlerësimi ofron një vështrim mbi vendimin e Trump për të mos mbështetur përpjekjen e opozitës për kontrollin e Venezuelës pas operacionit të guximshëm ushtarak të SHBA-së për kapjen e Maduros javën e kaluar dhe dërgimin e tij në SHBA për gjykim. Ashtu si në mandatin e tij të parë, Trump ishte i bindur se stabiliteti afatshkurtër në Venezuelë mund të ruhej vetëm nëse zëvendësuesi i Maduros kishte mbështetjen e forcave të armatosura të vendit dhe elitave të tjera.
Zyrtarë të lartë të administratës Trump e ngarkuan CIA-n të ndërmerrte vlerësimin analitik dhe e debatuan atë gjatë diskutimeve për planet e “ditës së nesërme” për Venezuelën, thanë personat. Njerëzit e njohur me vlerësimin thanë se nuk ishin të sigurt për datën e saktë kur u prodhua ai. Raporti iu bë i ditur Trump-it në javët e fundit, sipas dy prej personave.
Vlerësimi nuk përshkruante se si Maduro mund të humbiste pushtetin, ose nuk bënte thirrje për largimin e tij, por përpiqej të vlerësonte gjendjen e brendshme në Venezuelë në rast se ai do ta humbiste atë. Raporti i inteligjencës citonte Rodríguez-in dhe dy figura të tjera të larta të regjimit venezuelian si sundimtarë të mundshëm të përkohshëm që mund të mbanin rendin.
Personat e njohur me vlerësimin nuk i identifikuan dy zyrtarët e tjerë, por përveç Rodríguez, dy ndërmjetësit më me ndikim të pushtetit janë ministri i Brendshëm Diosdado Cabello dhe ministri i Mbrojtjes Vladimir Padrino.
Këta dy radikalë, të cilët komandojnë policinë dhe ushtrinë e Venezuelës, mund të zhbënin çdo përpjekje për tranzicion, sipas ish-zyrtarëve amerikanë dhe venezuelianë. Të dy përballen me akuza penale në SHBA të ngjashme me ato të ngritura kundër Maduros dhe nuk ka gjasa të bashkëpunojnë me Uashingtonin.
Raporti doli në përfundimin se Edmundo González, i parë gjerësisht si fituesi i vërtetë i zgjedhjeve të vitit 2024 kundër Maduros, dhe Machado do hasnin vështirësi për të fituar legjitimitet si udhëheqës ndërsa përballen me rezistencën nga shërbimet e sigurisë pro-regjimit, rrjetet e trafikimit të drogës dhe kundërshtarët politikë.
Machado, e cila u rreshtua ngushtë me administratën Trump, ka lavdëruar vazhdimisht politikën e tij agresive kundër Maduros. Në tetor, ajo tha se Trump meritonte Çmimin Nobel për Paqe që ajo kishte fituar dhe ia dedikoi atë atij për “mbështetjen e tij vendimtare për kauzën tonë”.
Maduro, i dërguar në Neë York City, u shfaq në gjykatë të hënën për t’u përballur me akuzat federale për narko-terrorizëm. Ai u deklarua i pafajshëm.
Në fund të vitit të kaluar, CIA kultivoi një burim brenda rrethit të ngushtë të Maduros, i cili dha informacion mbi vendndodhjen e tij, raportoi më parë The Ëall Street Journal. Ndjekja e ngushtë e vendndodhjes së Maduros nga agjencia e spiunazhit, e cila shfrytëzoi elementë të tjerë mbikëqyrjeje përfshirë dronët e padukshëm, lejoi njësinë Delta Force të ushtrisë ta kapte atë dhe gruan e tij gjatë bastisjes, thanë njerëz të njohur me operacionin.
Sekretari i Shtetit Marco Rubio, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth dhe zyrtarë të tjerë të lartë pritet të informojnë një grup dypartiak ligjvënësish të hënën pasdite mbi trajtimin e Venezuelës nga administrata.
Analistët e Amerikës Latine kanë paralajmëruar më parë se rrëzimi i Maduros pa një zëvendësues të aftë ka të ngjarë të fuqizojë fraksionet ushtarake të armatosura, politikanët rivalë dhe grupet kriminale brenda Venezuelës teksa luftojnë për kontroll, duke çuar në një krizë sigurie në vend.
David Smilde, një profesor në Universitetin Tulane që fokusohet te Venezuela, tha se ishte “realizëm magjik” të pritej që Machado ose një lider tjetër i opozitës të merrte pushtetin. Rruga më e mirë pas rrëzimit të Maduros, tha ai, ishte të detyrohej Rodríguez të niste një tranzicion të pushtetit, por problemi është se nuk duket se “dikush në SHBA po angazhohet aktivisht në negociata”.
“Presidenti dhe ekipi i tij i sigurisë kombëtare po marrin vendime realiste për të siguruar më në fund që Venezuela të rreshtohet me interesat e Shteteve të Bashkuara dhe të bëhet një vend më i mirë për popullin venezuelian,” tha Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, në një deklaratë. Ajo refuzoi të komentonte specifikisht mbi vlerësimin e inteligjencës.
Administrata Trump ka ofruar narrativa të ndryshueshme për mënyrën se si synon të punojë me Rodríguez, presidenten në detyrë të Venezuelës, e cila shihet nga SHBA si një operatore politike pragmatike. Pavarësisht se fillimisht mbajti një ton sfidues, të dielën ajo sinjalizoi gatishmërinë e saj për të punuar me SHBA-në dhe ka folur me Rubion.
Në një seri intervistash televizive të dielën, Rubio tha se SHBA do e detyronte Rodríguez-in të vepronte në interes të Amerikës duke zbatuar një “karantinë” ushtarake për të bllokuar anijet e sanksionuara të naftës, duke e lënë Venezuelën pa të ardhura nga nafta. Por orë më vonë Trump pohoi parapëlqimin e tij për sundim të drejtpërdrejtë pa specifikuar se si Uashingtoni do diktonte kushtet në Karakas.
“Ne jemi në krye,” u tha ai gazetarëve.
“Ne kemi nevojë për qasje të plotë. Kemi nevojë për qasje te nafta dhe te gjërat e tjera në vendin e tyre që na lejojnë të rindërtojmë vendin e tyre.”
Përqafimi i Rodríguez nga Trump dhe refuzimi i opozitës së udhëhequr nga Machado i gjeti në papritur ndihmësit e Machado-s dhe shumë nga mbështetësit e saj në SHBA të shtunën. Machado “nuk ka mbështetjen ose respektin brenda vendit” për të marrë drejtimin në një tranzicion demokratik, tha Trump.
Më parë, Trump dhe aleatët e tij të lartë kishin ngritur publikisht lëvizjen opozitare të Machado-s si zgjedhjen më të mirë për të trashëguar pushtetin në një tranzicion. Në një postim në Truth Social në janar, Trump lavdëroi Machado-n për “shprehjen paqësore të zërave dhe VULLNETIT të popullit venezuelian”.
Rubio, një nga mbështetësit e saj më të shquar, i cili ka thënë se ka folur me të “shumë, shumë herë ndër vite”, nënshkroi një letër duke e nominuar atë për Çmimin Nobel për Paqe. Të tjerë të afërt me Trump-in, përfshirë djalin e tij, Don Trump Jr., gjithashtu e promovuan shpesh atë si të ardhmen e demokracisë venezueliane.
Por privatisht, Trump ka qenë i kujdesshëm në mbështetjen e opozitës së Venezuelës pasi arriti në përfundimin se ajo dështoi në mandatin e tij të parë, thotë Juan Cruz, i cili shërbeu si zyrtari kryesor i Shtëpisë së Bardhë që trajtonte politikën e Amerikës Latine në administratën e atëhershme të Trump-it.
Trump vendosi sanksione të ashpra ndaj kompanisë shtetërore të naftës të Venezuelës, izoloi Maduron diplomatikisht dhe kërkoi të nxisë një rebelim në ushtri. Përpjekja dështoi kur as forcat e armatosura dhe as popullata e gjerë nuk u ngritën, duke përforcuar pikëpamjen e Trump se opozita premtoi më shumë se ç’duhej dhe dha rezultate të pakta.
“Trump e sheh opozitën si humbëse, pasi dështuan të realizonin premtimet,” tha Cruz.
“Është një opozitë që ai e sheh si jo mbresëlënëse dhe që ka mbetur pas, ndaj pse t’ua dorëzonte thjesht pushtetin atyre?”
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e WSJ
Përgatiti për Hashtag.al, k.manjani