Vendosni fjalën kyçe....

Sekuestrohen 691 fishekzjarre në Vlorë, pronarja e subjektit tregtar procedohet penalisht



Policia ka sekuestruar 691 copë lëndë piroteknike dhe ka nisur procedimin penal ndaj pronarës së një subjekti tregtar në Vlorë.

Kontrollet u kryen nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike Financiare, në kuadër të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e tregtimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike gjatë festave të fundvitit.

Gjatë kontrollit në subjektin tregtar në lagjen “Hajro Çakërri”, u gjetën 691 copë fishekzjarresh që tregtoheshin në kundërshtim me ligjin. Lëndët piroteknike u sekuestruan si provë materiale, ndërsa materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë.

Pronarja e subjektit, shtetasja L. V., 64 vjeçe, banuese në Vlorë, është proceduar penal për veprimtarinë e paligjshme. Policia apelon tek qytetarët të mos tregtojnë dhe të mos përdorin lëndë piroteknike në mënyrë të kundërligjshme, pasi kjo paraqet rrezik për jetën dhe shëndetin.