Vendosni fjalën kyçe....

Qindra persona nxitojnë të zënë vendet më të mira në Portin e Sidneit për festimet e Vitit të Ri



Qindra persona janë mbledhur që prej së martës rreth Portit të Sidneit, në pritje të festimeve të Vitit të Ri, duke synuar të sigurojnë vendet më të mira për të ndjekur spektaklin e fishekzjarreve të natës së ndërrimit të viteve, përcjell Euronews.

Turmat nisën të grumbullohen herët pranë Operës së Sidneit, Urës së Portit (Harbour Bridge) dhe brenda Kopshtit Botanik Mbretëror, ku shumë persona zunë vend që disa orë para nisjes së festimeve.

Pamje video tregojnë njerëz që vrapojnë drejt Kopshtit Botanik sapo u hapën portat, për të rezervuar hapësirën më të favorshme për shikimin e shfaqjes.

Një tjetër pikë shumë e frekuentuar është Blues Point, e njohur për pamjen e qartë të Urës së Portit. Atje u krijuan radhë të gjata, që u shtrinë përgjatë rrugëve përreth, ndërsa qytetarët kalonin kontrollet e sigurisë.

Autoritetet kanë bërë të ditur se spektakli i fishekzjarreve dhe shfaqja vizuale e këtij viti do të përfshijnë edhe një homazh për viktimat e sulmit terrorist në Bondi.