
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas protestës së qytetarëve të Vlorës, të cilët prej pesë ditësh janë pa ujë të pijshëm, duke ia atribuar përgjegjësinë opozitës dhe problematikave të trashëguara nga e kaluara.
Në një reagim në rrjetin social X, Rama njoftoi se pjesët e reja hidraulike për riparimin e defektit të rëndë në ujësjellës do të mbërrijnë sot nga Stambolli, ndërsa u kërkoi ndjesë qytetarëve për, sipas tij, një peripeci të pamerituar.
Sipas kryeministrit, defekti i rëndë në ujësjellësin e Vlorës lidhet me pjesë hidraulike të instaluara jashtë standardeve në vitet 2009–2010, në një periudhë që ai e cilëson si përgjegjësi direkte të opozitës së sotme.
“Në vitin 2009–2010 janë instaluar pjesë hidraulike jashtë standarteve, që nuk e kanë mbajtur dot më presionin e ujit dhe për pasojë tubacioni ka shpërthyer”, shkruan Rama, duke e quajtur situatën pasojë të një “mine të vjetër” të vendosur nga qeverisjet e mëparshme.
Rama vlerësoi punën e punonjësve të ujësjellësit të Vlorës dhe strukturave përgjegjëse që, sipas tij, po punojnë pa ndërprerje për të rikthyer furnizimin me ujë.
“Respekt për punën e palodhur të punëtorëve të ujësjellësit Vlorë, të cilët nën drejtimin e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve po bëjnë të pamundurën për ta mbyllur këtë plagë të hapur në trupin e Vlorës”, thekson kryeministri.
Në fund të reagimit të tij, kreu i qeverisë iu drejtua drejtpërdrejt qytetarëve të Vlorës, duke u kërkuar ndjesë për mungesën disa ditore të ujit dhe duke këmbëngulur se përgjegjësia nuk i takon qeverisë aktuale.
“Vlonjatëve të mi u them ndjesë për tërë këtë peripeci të pamerituar. Kjo është pasojë e një kohe të zezë për Vlorën, ndërsa sot po bëhet gjithçka për ta zgjidhur sa më shpejt këtë problem”, përfundon Rama.