Vendosni fjalën kyçe....

Polonia aktivizon avionë dhe mbrojtje ajrore pas sulmeve ruse mbi Ukrainën



Aerodromet civile në Rzeszów dhe Lublin u mbyllën përkohësisht në orët e hershme të së shtunës, pas një sulmi masiv nga forcat ruse mbi Ukrainë që shkaktoi alarme kundër-ajrore në territorin ukrainas. Pas disa orësh, trafiku ajror në të dy aeroportet u rikthye normalisht, përcjell Euronews.

Si përgjigje, Komanda Operative e Forcave të Armatosura të Polonisë ka ngritur në gatishmëri avionët luftarakë polakë, si dhe sistemet e mbrojtjes ajrore dhe radarët, duke theksuar se masat ishin parandalues dhe kishin për qëllim mbrojtjen e hapësirës ajrore polake.

“Në lidhje me aktivitetin e aviacionit të distancës së gjatë të Federatës Ruse, që kryen sulme mbi territorin e Ukrainës, është nisur operacioni i aviacionit ushtarak në hapësirën ajrore të Polonisë”, thuhet në komunikatën e Komandës Operative të Forcave të Armatosura.

Pas orës 8:00, Komanda njoftoi se operacionet e avionëve polakë dhe atyre aleatë kishin përfunduar, dhe nuk kishte pasur shkelje të hapësirës ajrore polake.

Në operacion morën pjesë edhe forca aleate, përfshirë avionë nga Shtetet e Bashkuara dhe Spanja, si dhe sistemet e mbrojtjes ajrore holandeze.