
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, ka reaguar mbi gjendjen e Partisë Demokratike, duke deklaruar se, pavarësisht kundërshtive të thella personale dhe politike ndaj Ervin Salianjit, mbështetja për të është e nevojshme për të ardhmen e PD.
Në një reagim publik, Spaho thekson se PD “ka rënë në mocal” dhe se përgjegjësinë kryesore për situatën aktuale e mban Sali Berisha, të cilin e akuzon se e përdor partinë për interesa personale. Ai kritikon ashpër edhe sekretarin e përgjithshëm Flamur Noka, duke e cilësuar si një nga drejtuesit më të pabesë, intrigantë dhe të papërgjegjshëm që ka njohur në 35 vite angazhim në PD.
Spaho pranon se ka qenë kundërshtar i vendosur i Ervin Salianjit dhe se kjo përplasje ka ndikuar edhe në karrierën e tij politike, përfshirë humbjen në zgjedhjet e vitit 2025. Megjithatë, ai nënvizon se dallimet me Salianjin nuk kanë qenë personale, por politike, dhe se aktualisht lëvizja e tij mund t’i shërbejë ndryshimit në PD.
Ish-deputeti rikujton gjithashtu përplasjet me Lulzim Bashën pas zgjedhjeve të vitit 2021 dhe qëndrimet e tij në vitet 2023–2025, kur ka kërkuar hapur krijimin e një force të re politike ose ndarjen e qartë të grupimeve brenda opozitës, ide që sipas tij u refuzuan nga Berisha.
Në përfundim, Edmond Spaho u bën thirrje demokratëve që të mbështesin Ervin Salianjin, duke e cilësuar këtë si një përgjegjësi morale dhe qytetare. Sipas tij, çdo ndryshim në PD, pavarësisht se nga kush vjen, është në interes të partisë, demokracisë dhe vendit, ndërsa paralajmëron se retorika e protestave të dhunshme dhe premtimet boshe nuk e rrëzojnë qeverinë dhe nuk e rikthejnë opozitën në pushtet.