Vendosni fjalën kyçe....

Ushtria kineze simulon beteja pranë Meksikës, Kubës e Tajvanit


Ushtria kineze ka simuluar beteja pranë Meksikës dhe Kubës gjatë një ushtrimi luftarak, një pasqyrë e rrallë kjo e zbuluar në një raport të televizionit shtetëror.

Kuba, Gjiri i Meksikës dhe Deti i Karaibeve, së bashku me Detin e Ohotskut dhe Tajvanin, ishin ndër lokacionet e skenarëve të konfliktit të dukshëm në ekranet e një raporti të CCTV-së të premten, që tregonte ushtrimet luftarake të Ushtrisë Çlirimtare Popullore (PLA).

Pavarësisht lidhjeve më të ngushta ekonomike me vendet e rajonit, Kina ka një prani minimale ushtarake në Amerikën Latine. Por fakti që ushtria kineaze po modelon konflikte potenciale atje, sugjeron një ndryshim në ambiciet globale të ushtrisë kineze.

Një ekran në raport tregonte “treguesit” e njësive kundërshtare të kuqe dhe blu – të përfaqësuara nga avionë dhe anije – duke manovruar pranë brigjeve të Kubës dhe Meksikës. Disa nga pala blu ishin grumbulluar pranë Hjustonit, Teksas, dhe drejtoheshin drejt juglindjes në Gjirin e Meksikës, ndërsa pala e kuqe shihej në Detin e Karaibeve.

Në një stërvitje tipike të PLA-së, pala e kuqe zakonisht përfaqëson ushtrinë kineze, ndërsa pala blu është armiku, shkruan SCMP.

Gjatë raportit të CCTV-së, një pamje e afërt e fokusuar në Kubë tregonte linjat e trajektores së avionëve dhe anijeve në rajon, në atë që ka gjasë të ishte një simulim i një operacioni taktik. Studiuesit kinezë u panë duke treguar ekranin dhe duke diskutuar situatën.