
Turqia po përpiqet të vendosë sisteme radarësh në territorin sirian, një veprim që mund të dëmtojë ndjeshëm aftësinë e Izraelit për të vepruar ushtarakisht në rajon, raportojnë burime perëndimore të inteligjencës për The Jerusalem Post.
Sipas këtyre burimeve, vendosja e radarëve turq në Siri do të kufizonte ndjeshëm lirinë e veprimit të Forcave Ajrore Izraelite në hapësirën ajrore siriane, pasi radarët do të ishin në gjendje të zbulonin aktivitetin ajror izraelit gjatë operacioneve të fundit. Po ashtu, kjo do ta komplikonte edhe më tej aftësinë e Izraelit për të goditur objektiva në Iran, duke qenë se avionët izraelitë përdorin shpesh hapësirën ajrore të Sirisë si korridor tranziti.
Një nga burimet ka bërë të ditur se Ankaraja planifikon t’ia transferojë sistemet e radarëve ushtrisë siriane, duke e paraqitur këtë si një hap për forcimin e kapaciteteve të presidentit Ahmed al-Sharaa. Megjithatë, personeli turk pritet të mbetet përgjegjës për operimin e tyre, çka do t’i jepte Turqisë kontroll dhe akses mbi informacionin e mbledhur.
Izraeli ka shprehur shqetësim në rritje për zgjerimin e pranisë turke në Siri. Pas rënies së regjimit të Bashar al-Assadit vitin e kaluar, Izraeli kreu sulme ajrore ndaj disa bazave ushtarake siriane, përfshirë bazën ajrore T-4, nga frika se Turqia mund të vendosë baza të përhershme ushtarake dhe dronë në territorin sirian.
Zyrtarë të sigurisë izraelite kanë deklaruar më herët se ndërtimi i një baze ajrore turke në Siri do të përbënte një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së veprimit të Izraelit në rajon. Ndërkohë, analistët paralajmërojnë se vendosja e radarëve do të përmirësonte ndjeshëm kapacitetet e mbrojtjes ajrore të Sirisë dhe do të rritej aftësia për të zbuluar operacionet izraelite.
Tensionet janë rritur më tej pas takimeve të fundit të zyrtarëve të lartë turq me autoritetet siriane në Damask, ndërsa në Izrael po ndiqet nga afër forcimi i marrëdhënieve mes Ankarasë dhe Damaskut dhe ndikimi i tyre në balancat ushtarake në rajon.