
Mediat turke raportojnë se presidenti Rexhep Tajip Erdogan do t’i dhurojë qeverisë shqiptare një avion me vlerë 11.9 milionë dollarë, në kuadër të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe mes Turqisë dhe Shqipërisë.
Sipas mediave turke, kompania ajrore kombëtare e Turqisë, Turkish Airlines, pritet t’ia transferojë qeverisë shqiptare pronësinë e një Airbus A319-115J, një avion i konfiguruar për përdorim qeveritar, përmes një marrëveshjeje dypalëshe granti.
Donacioni vlerësohet në 11.9 milionë dollarë dhe paraqitet si pjesë e përpjekjeve për thellimin e lidhjeve diplomatike dhe ekonomike mes dy vendeve.
Mediat raportojnë se marrëveshja është publikuar në Gazetën Zyrtare të Turqisë të enjten. Sipas saj, avioni, i regjistruar me numrin TC-GVC, me numër serial 1002 dhe i prodhuar në shkurt të vitit 2000, mbetet i certifikuar për operacione fluturimi.
“Turkiye Today” thekson se transferimi do të kryhet pa asnjë detyrim financiar nga pala shqiptare, ndërsa Turqia do të mbulojë të gjitha kostot që lidhen me procesin e dorëzimit.
Marrëveshja Turqi–Shqipëri synon, sipas dokumentacionit zyrtar, të përforcojë “marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin e ngushtë” mes dy vendeve, të vendosura fillimisht në Traktatin e Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit të vitit 1992.
Palët shprehin gatishmërinë për të forcuar më tej këto lidhje përmes bashkëpunimit teknik dhe mbrojtës.
Në njoftim thuhet se marrëveshja pasqyron angazhimin e përbashkët për thellimin e partneriteteve institucionale në aviacionin civil, logjistikën e mbrojtjes dhe sektorë të tjerë strategjikë, duke shërbyer njëkohësisht edhe si një gjest simbolik i mbështetjes së Turqisë për përpjekjet e Shqipërisë në zhvillimin rajonal dhe proceset e integrimit.