
Protestat e fermerëve grekë, të nisura prej javësh për shkak të subvencioneve të vonuara, çmimeve të ulëta dhe kostove të larta të prodhimit, kanë bllokuar autostrada dhe pika kufitare, duke ndikuar drejtpërdrejt edhe në furnizimin energjetik të vendeve fqinje në Ballkanin Perëndimor.
Si pasojë e situatës, që ka shkaktuar mungesa të furnizimit me karburant, Maqedonia e Veriut shpalli gjendjen e krizës në sektorin e energjisë elektrike për një periudhë 7-ditore.
Sipas vendimit të Shkupit, masa i lejon kompanisë shtetërore të energjisë ESM të përdorë rezervat shtetërore të karburantit pa kompensim financiar. Qeveria thekson se ESM do të ketë detyrimin të raportojë rregullisht mbi sasinë e karburantit të përdorur pranë Ministrisë së Financave.
“Vendimi vjen si pasojë e pamundësisë për furnizim me karburant, e domosdoshme për prodhimin e energjisë elektrike”, thuhet në deklaratën zyrtare pas mbledhjes së kabinetit qeveritar. Vetë ESM kishte kërkuar shpalljen e gjendjes së krizës, duke argumentuar se bllokadat në kufirin me Greqia kanë penguar furnizimin normal me lëndë djegëse dhe linjit.
Pjesa më e madhe e energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut prodhohet nga termocentrale që përdorin karburant, ndaj ndërprerjet në furnizim rrezikojnë sigurinë energjetike të vendit, veçanërisht gjatë dimrit.
Ndërkohë, pas një bisede telefonike mes ministrave të Jashtëm të dy vendeve, Bullgaria ka ofruar ndihmë urgjente me furnizim me naftë, si një masë për të zbutur pasojat e krizës.