
Administrata e Kuvendit, në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, zhvilloi takimin vjetor koordinues të fundvitit me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të gjitha shërbimeve të Kuvendit.
Takimi u përqendrua në analizën e arritjeve dhe sfidave të vitit 2025, si dhe në përcaktimin e prioriteteve strategjike për planifikimin e punës gjatë vitit 2026. Në fjalën përshëndetëse, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genci Gjonçaj, theksoi rëndësinë e forcimit të koordinimit institucional në kushtet e nisjes së legjislaturës së re.
Gjatë diskutimeve u analizuan zhvillimet dhe sfidat kryesore në fillimin e legjislaturës së re, riorganizimi i punës sipas strukturës së re të komisioneve parlamentare, orientimi i deputetëve të rinj dhe forcimi i koordinimit të brendshëm ndërmjet shërbimeve të Kuvendit.
Takimi u zhvillua në disa sesione tematike, ku u prezantuan gjetjet, arritjet dhe sfidat e vitit 2025 nga Shërbimi Legjislativ, Shërbimi i Monitorimit, Instituti Parlamentar dhe Marrëdhëniet me Jashtë. Në sesionet pasuese u diskutua progresi dhe problematikat e shërbimeve të Integrimit Evropian, Dokumentacionit dhe Informacionit, si dhe Shërbimit Administrativ.
Pjesa përmbyllëse iu kushtua diskutimit mbi prioritetet dhe objektivat e Planit të ri Strategjik të Administratës së Kuvendit 2026–2030, si dhe bashkërendimit të planit të masave për vitin 2026, me synimin e rritjes së cilësisë së shërbimeve dhe forcimit të kapaciteteve institucionale. Në diskutimet përfundimtare u theksua rëndësia e bashkëpunimit gjithëpërfshirës ndërmjet shërbimeve të Kuvendit dhe strukturave mbështetëse të deputetëve për garantimin e një mbështetjeje më efektive të punës parlamentare gjatë vitit 2026.