Vendosni fjalën kyçe....

Dy oficerë policie rusë të vrarë nga një shpërthim në Moskë


Tre persona, përfshirë dy oficerë policie, u vranë herët të mërkurën në mëngjes në Moskë, pasi një bombë shpërtheu në momentin kur policia iu afrua një personi që po sillej në mënyrë të dyshimtë, bënë të ditur autoritetet ruse.

Komiteti Hetimor i Rusisë (IRC) njoftoi se “dy oficerë të policisë rrugore vunë re një person të dyshimtë pranë një automjeti policie”. “Kur iu afruan për ta ndaluar, u aktivizua një mjet shpërthyes. Si pasojë e plagëve të marra, dy oficerët e policisë, si edhe personi që ndodhej pranë tyre, humbën jetën”, thuhet në deklaratën e IRC-së, të publikuar në Telegram, përcjell Euronews.

Disa media ruse raportuan se personi i dyshuar si autor i sulmit ishte një nga tre viktimat e shpërthimit, por Euronews thekson se këto pretendime nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Shërbimet e emergjencës dhe forcat e sigurisë mbërritën menjëherë në vendngjarje, duke rrethuar zonën, ndërsa hetuesit nisën mbledhjen e provave.

Ngjarja ndodhi në të njëjtën rrugë të kryeqytetit rus, Yeletskaya, ku vetëm dy ditë më parë humbi jetën një gjeneral i lartë rus në atë që autoritetet e përshkruan si një shpërthim të mundshëm nga një bombë e vendosur në automjet.

Deri më tani, autoritetet nuk kanë njoftuar për ndonjë arrestim apo për identitetin e autorëve të mundshëm të sulmit.