
Bashkimi Evropian, Franca dhe Gjermania kanë reaguar ashpër ndaj vendimit të Shteteve të Bashkuara për të ndaluar dhënien e vizave për pesë shtetas evropianë të angazhuar në luftën kundër gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimit online, duke e cilësuar këtë hap si një përshkallëzim të ri të tensioneve mes Uashingtonit dhe aleatëve të tij tradicionalë në Evropë, përcjell Reuters.
Administrata e presidentit Donald Trump vendosi të martën ndalime vizash ndaj pesë qytetarëve evropianë, mes tyre ish-komisionerit evropian francez Thierry Breton, duke i akuzuar se kanë kontribuar në “censurimin e lirisë së shprehjes” ose në “goditjen e padrejtë të gjigantëve amerikanë të teknologjisë përmes rregulloreve të rënda”.
Në Bruksel, një zëdhënës i Komisionit Evropian tha se BE-ja “e dënon fuqishëm vendimin e SHBA-së”, duke shtuar se “liria e shprehjes është një e drejtë themelore në Evropë dhe një vlerë e përbashkët me Shtetet e Bashkuara në botën demokratike”.
Zëdhënësi theksoi se BE-ja do të kërkojë shpjegime nga Uashingtoni dhe paralajmëroi se Unioni mund të “reagojë shpejt dhe me vendosmëri” ndaj masave që i konsideron të pajustifikuara.
Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili prej kohësh ka paralajmëruar për rrezikun që dezinformimi paraqet për demokracinë, deklaroi se kishte folur me Breton dhe e falënderoi për punën e tij, duke shtuar: “Nuk do të dorëzohemi dhe do të mbrojmë pavarësinë e Evropës dhe lirinë e evropianëve.”
Thierry Breton, ish-ministër francez i Financave dhe komisioner evropian për Tregun e Brendshëm nga viti 2019 deri në 2024, ishte një nga arkitektët kryesorë të Aktit për Shërbimet Digjitale (DSA), një legjislacion kyç i BE-së që synon ta bëjë internetin më të sigurt duke detyruar platformat e mëdha teknologjike të luftojnë përmbajtjen e paligjshme, përfshirë gjuhën e urrejtjes dhe materialet e abuzimit seksual ndaj fëmijëve. Breton reagoi në rrjetin X duke shkruar: “A është rikthyer gjuetia e shtrigave e McCarthy-t?”
DSA ka shkaktuar pakënaqësi në administratën Trump, e cila e akuzon BE-në se po vendos kufizime “të tepruara” mbi lirinë e shprehjes dhe se po synon në mënyrë disproporcionale kompanitë amerikane të teknologjisë.
Tensionet u rritën më tej këtë muaj, pasi Brukseli gjobiti platformën X të Elon Musk me 120 milionë euro për shkelje të rregullave mbi përmbajtjen online.
Ndër personat e tjerë të prekur nga ndalimet e vizave janë Imran Ahmed, drejtues britanik i Qendrës për Luftimin e Urrejtjes Digjitale me bazë në SHBA, Anna-Lena von Hodenberg dhe Josephine Ballon nga organizata gjermane HateAid, si edhe Clare Melford, bashkëthemeluese e Global Disinformation Index.
Ministria gjermane e Drejtësisë i cilësoi ndalimet ndaj aktivistëve gjermanë si “të papranueshme”, duke theksuar se ata kanë “mbështetjen dhe solidaritetin e plotë të qeverisë”.
Në deklaratë thuhej gjithashtu se “kush e quan këtë censurë, po shtrembëron sistemin tonë kushtetues” dhe se “rregullat se si duam të jetojmë në hapësirën digjitale në Gjermani dhe Evropë nuk vendosen në Uashington”.
Edhe Britania reagoi, duke deklaruar se mbetet e përkushtuar ndaj mbrojtjes së lirisë së shprehjes, por njëkohësisht mbështet institucionet që synojnë ta mbajnë internetin të lirë nga përmbajtjet më të dëmshme.
Nga ana e saj, Global Disinformation Index e cilësoi vendimin amerikan si “një sulm autoritar ndaj lirisë së shprehjes dhe një akt flagrant censure shtetërore”, duke akuzuar administratën Trump se po përdor pushtetin federal për të “intimiduar dhe heshtur zëra me të cilët nuk pajtohet”.
Ky nuk është rasti i parë kur administrata Trump sanksionon zyrtarë apo figura franceze. Në gusht, Uashingtoni vendosi sanksione ndaj gjyqtarit francez Nicolas Yann Guillou, anëtar i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, për shkak të hetimeve të tribunalit ndaj udhëheqësve izraelitë dhe zyrtarëve amerikanë.