
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka publikuar raportin për Shqipërinë pas misionit të zhvilluar në muajin nëntor, ku vlerëson se vendi po shënon një nga rritjet ekonomike më të forta në Europë, e nxitur kryesisht nga turizmi dhe konsumi privat.
Sipas FMN-së, pas një rritjeje mesatare prej 4.3% në periudhën pas pandemisë, Prodhimi i Brendshëm Bruto parashikohet të rritet me 3.5% në vitin 2025 dhe 3.6% në vitin 2026. Rritja për vitin 2026 lidhet edhe me një përmirësim modest të ekonomive të partnerëve kryesorë tregtarë të Shqipërisë në zonën euro.
FMN thekson se ndikimi i drejtpërdrejtë i tarifave të SHBA-së në ekonominë shqiptare është minimal, ndërsa edhe efektet indirekte nga masat tregtare globale dhe pasiguria ndërkombëtare mbeten të kufizuara. Pavarësisht një moderimi të lehtë, turizmi vijon të jetë një shtyllë e qëndrueshme e rritjes ekonomike.
Megjithatë, raporti nënvizon se pasiguritë ekonomike mbeten të larta, të ndikuara kryesisht nga faktorë të jashtëm. FMN paralajmëron se tensionet gjeopolitike, përshkallëzimi i masave tregtare, luhatjet e çmimeve të mallrave dhe paqëndrueshmëria e tregjeve financiare globale mund të ndikojnë negativisht te partnerët tregtarë të Shqipërisë dhe të dobësojnë kërkesën e jashtme. Gjithashtu, këto zhvillime mund të rrisin rreziqet e rifinancimit të borxhit sovran.
Një tjetër shqetësim serioz për ekonominë shqiptare, sipas FMN-së, është rënia e popullsisë në moshë pune. Fondi vlerëson se një tkurrje më e fortë se parashikimet mund të thellojë mungesat në tregun e punës, të nxisë presione inflacioniste, të kërkojë një politikë monetare më të shtrënguar dhe të dobësojë perspektivat afatmesme të rritjes ekonomike.
Sfidë mbetet edhe niveli i ulët i produktivitetit. FMN thekson se të ardhurat për frymë në Shqipëri janë vetëm rreth një e treta e mesatares së Bashkimit Europian, ndërsa boshllëqet në kapitalin njerëzor, qeverisjen dhe klimën e biznesit vazhdojnë të jenë të konsiderueshme.
Në aspektin fiskal, Fondi Monetar Ndërkombëtar shpreh shqetësim për nismën e “Paqes Fiskale”. Sipas raportit, kjo marrëveshje, e cila parashikon falje detyrimesh dhe rivlerësim preferencial të pasqyrave financiare, rrezikon të minojë përparimin e arritur më herët në administrimin dhe përmbushjen e detyrimeve tatimore. FMN thekson se kjo mbetet një pikë kritike, duke përsëritur rezervat e shprehura edhe në vlerësimin e muajit nëntor.