
Pas përfundimit të mbledhjes së Sekretariatit të Etikës, deputetët e Partisë Demokratike, anëtarë të Këshillit të Mandateve, u mblodhën për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku. Mbledhja u zhvillua pa praninë e deputetëve socialistë.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, deklaroi se mungesa e mazhorancës përbën pengim të drejtësisë me urdhër politik të kryeministrit Edi Rama. Sipas tij, gjendja e lirë e Belinda Ballukut paraqet rrezik real për hetimin.
Bardhi lexoi pjesë nga kërkesa e SPAK, ku thuhet se gjatë hetimeve janë siguruar prova se Balluku ka ushtruar presion ndaj dëshmitarëve dhe ka tentuar të ndikojë në procesin hetimor.
“Njësoj si kriminelët që i fshihen drejtësisë edhe kolegët e mazhorancës janë të fshehur. Kolegët e mazhorancës nuk janë paraqitur në një mbledhje të vlefshme. Pengimi i drejtësisë me urdhër politik të Edi Ramës është akti më i rëndë që ka kryer Kuvendi gjatë këtyre viteve demokraci.
Nuk mundet që një kryeministër të urdhërojë deputetët të mbledhë Këshillin e Mandateve. Unë për herë të parë dua tju lexoj pjesë nga kërkesa që SPAK ka sjellë në Kuvend dhe e bëjnë të ngutshme mbledhjen.
Balluku ka interes për të zvarritur çështjen. Pse pesë anëtarë të Këshillit bëhen zëdhënës të një të pandehuri për veprime korruptive që kapin vlerën e 1.1 mld eurove.
SPAK ka argumentuar se “në vijim të hetimeve nga përdorimi i metodave speciale kanë rezultuar të dhëna se nga ana e Ballukut ka ushtruar presion në forma të ndryshme ndaj personit të pyetur, konkretisht një vartësja të saj. Jemi në kushtet e zëvendësimit të masës së sigurimit për Belinda Ballukun. Vlerësojmë se pas caktimit të masës së sigurimit, nevojat e sigurimit janë rënduar ndaj të pandehurës Belinda Balluku. Pasi po kryhen hetime penale për procedura të tjera. Gjendja e lirë e të pandehurës paraqit rrezik të vërtetë. Ekziston mundësia që ajo të asgjesojë ose të prishë provat. E pandehura Belinda Balluku ka bërë përpjekje për të ndikuar tek dëshmitarët. Largimi i të pandehurës është evident”, tha Bardhi.