
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, i është bashkuar reagimeve pas skandalit të zbuluar në AKSHI, duke e cilësuar dosjen si provë të një shteti tërësisht të inkriminuar.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Tabaku deklaron se shqiptarët janë drejtuar realisht nga Ergys Agasi, të cilin ajo e quan një “zëvendëskryeministër në hije”, aktualisht në kërkim nga SPAK për një sërë akuzash që lidhen me këtë çështje.
“SHTETI ‘EA TOBACCO’. Ajo që shumica e shqiptarëve ka lexuar këto ditë nga dosja e GJKKO-së është dëshmia tronditëse jo e një shteti të kapur, por e një shteti tërësisht të inkriminuar,” shkruan Tabaku.
Sipas saj, dosja provon se vendimmarrja reale nuk ka ndodhur në institucionet zyrtare, por në zyra të errëta jashtë qeverisë, ku janë përcaktuar tenderë publikë, emërime kyçe dhe politika strategjike.
“Miliona euro tendera publikë, emërime dhe politika si ‘Pasaportat e Arta’ kishin origjinën dhe vulën në zyrën e këtij zv.kryeministri në hije, tek ‘EA Tobacco’,” thekson ajo.
Tabaku rendit disa nga pretendimet kryesore që, sipas saj, dalin nga dosja:
përcaktimi i fituesve të tenderave të AKSHI-t;
vendimmarrja mbi politikat shtetërore;
takime të organizuara mes Agasit dhe përfaqësuesve të institucioneve shtetërore.
Deputetja e PD-së nënvizon se dosja flet vetëm për dy vite aktivitet, ndërsa shton se pasojat mund të jenë shumë më të thella nëse hetohet e gjithë dekada e fundit.
“Qeveria sot është produkt i një grupi të strukturuar kriminal. Nuk kemi më të bëjmë me një shtet të kapur, por me një shtet të marrë peng,” shprehet Tabaku.
Në përfundim të reagimit të saj, ajo ngre pikëpyetje mbi legjitimitetin moral të qeverisë për të vijuar drejtimin e vendit.
“Kur dy ‘zëvendëskryeministra’ – një zyrtare dhe një në hije – janë sot të pandehur ose në kërkim nga SPAK, kjo qeveri ka rënë. Ajo mbahet në këmbë vetëm nga inercia e krimit,” përfundon Tabaku.