
Kina ka gjasa të ketë ngarkuar më shumë se 100 raketa balistike ndërkontinentale (ICBM) në tre fusha silosesh, sipas një raporti paraprak të Pentagoni, i cili thekson zgjerimin e shpejtë të kapaciteteve ushtarake dhe bërthamore të Pekinit.
Raporti, i parë nga Reuters, vlerëson se Kina ka vendosur raketa me karburant të ngurtë DF-31 në silose të ndërtuara pranë kufirit me Mongolinë.
Pentagoni kishte raportuar më herët ekzistencën e këtyre fushave, por për herë të parë sugjeron se një numër i konsiderueshëm raketash tashmë është ngarkuar në to.
Sipas dokumentit, Pekini nuk shfaq interes për bisedime mbi kontrollin e armëve. “Nuk shohim asnjë gatishmëri nga Kina për të ndjekur masa të tilla apo diskutime më gjithëpërfshirëse për kontrollin e armatimeve,” thuhet në raport.
Kjo vjen në kontrast me deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump, i cili muajin e kaluar tha se synon të punojë për çarmatimin bërthamor së bashku me Kinën dhe Rusinë.
Megjithatë, raporti i Pentagonit vlerëson se Pekini nuk ka dëshirë të përfshihet në një proces të tillë.
Raporti thekson gjithashtu se arsenali bërthamor i Kinës ishte në nivelin e “qindra të ulëta” të koka-bërthamoreve në vitin 2024, por zgjerimi po vazhdon dhe vendi është në rrugë për të pasur mbi 1.000 koka bërthamore deri në vitin 2030.
Kina, nga ana e saj, përsërit se ndjek një strategji mbrojtëse dhe politikën e “mos-përdorimit të parë” të armëve bërthamore.
Në pjesën ushtarake, raporti paralajmëron se Kina synon të jetë në gjendje të “luftojë dhe fitojë” një konflikt për Tajvanin deri në fund të vitit 2027, duke përfshirë edhe opsione ushtarake me rreze të gjatë që mund të sfidojnë seriozisht praninë amerikane në rajonin Azi-Paqësor.
Autoritetet kineze kanë hedhur poshtë vazhdimisht raportet për rritje ushtarake, duke i cilësuar ato si përpjekje për të “diskredituar dhe keqinformuar” komunitetin ndërkombëtar.