
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka nisur vizitën zyrtare në Shkup të Maqedonisë së Veriut ku mëngjesin e sotëm u prit nga Ministri për Punë dhe Tregti të Jashtme, Timco Mucunski.
Spiropali tha se “me kolegun Timco Mucunski bashkëndajmë vizionin, perspektivën dhe vendosmërinë e përbashkët për të avancuar në rrugën drejt integrimit në BE”.
Spiropali theksoi se “bashkë me Maqedoninë e Veriut, Italinë, Bullgarinë dhe Rumaninë na pret një punë e mirë për projektin strategjik të Korridorit të VIII-të.”
“Forumi i parë që do të mbahet në Tiranë në shkurt të 2026, do të institucionalizojë më tej bashkëpunimin pesëpalësh për këtë projekt që i shërben sigurisë Euro-Atlantike, transformimit dhe zhvillimit të qendrueshëm ekonomik në rajon e më gjerë”, tha Spiropali.
Ministri Mucunski deklaroi se thellimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, dy vende partnere dhe aleatë në NATO, i shërben në vetvete përparimit të të gjithë rajonit tonë.
Spiropali do të pritet gjatë ditës nga Presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, Kryeministri Hristijan Mickoski, si dhe Kryetari i Parlamentit Afrim Gashi.
Ministrja Spiropali do të theksojë përgjatë kësaj vizite rëndësinë e avancimit të mëtejshëm të lidhjeve dypalëshe e rajonale.