
Tre persona janë ndaluar në Shkodër. 20-vjeçari K.L. banues në Mgull dje 43-vjeçari V.K. banues në Hot të Ri janë prangosur lidhur me vrasjen e shtetasit P.P., ngjarje e ndodhur në fshatin Guci e Re më 27 shkurt 2025.
Ndërsa 29-vjeçari me iniciale O.Ç. banues në Fushë Krujë është prangosur pasi është kapur duke transportuar emigrantë të paligjshëm nga Sudani të cilët po i transportonte drejt kufirit me Malin e Zi.
Njoftimi
“Shkodër.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Pesha e krimit”.
Si rezultat i punës policore dhe hetimore të shërbimeve të DVP Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, zbardhet vrasja e shtetasit P. P., e kryer më datë 27.02.2025, në fshatin Guci e Re.
Kapen dhe vihen në pranga dy shtetas, të dyshuar si autorë të kësaj vrasjeje.
Operacioni u zhvillua me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësisë Shkodër, Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shërbimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër dhe atyre të DVP-së Shkodër.
Si rezultat i një pune intensive operative dhe hetimore, të kryer nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësinë Shkodër dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, me qëllim zbardhjen e dinamikës dhe autorësisë së vrasjes së shtetasit P. P., e kryer më datë 27.02.2025, në fshatin Guci e Re, u finalizua operacioni policor i koduar “Pesha e krimit”.
Në kuadër të këtij operacioni, u identifikuan, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:
- L., 20 vjeç, banues në fshatin Mgull;
- K., 43 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri,
për veprat penale:
“Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim;
“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.”
Njoftimi i Drejtorisë Vendore për Kufirin Shkodër
” Finalizohet operacioni policor i koduar “Borders 5”.
Vihet në pranga një 29-vjeçar që ndihmonte emigrantë nga Vendet e Treta, kundrejt pagesës prej 500 eurosh, për të kaluar kufijtë në mënyrë të paligjshme.
29-vjeçari u kap në flagrancë, në fshatin Vukpalaj, duke transportuar me automjet 3 emigrantë (nga Sudani), të cilët synonin të kalonin kufirin me Malin e Zi.
Gjithashtu, ky shtetas ishte i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr. 7, Tiranë, për veprën penale “Largim nga vendi i vuajtjes së dënimit”, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për këtë vepër penale.
Sekuestrohen automjeti me të cilin ai transportonte emigrantët dhe telefoni i tij celular.
Shërbimet e Policisë Kufitare, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për një rast të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, kundrejt pagesës, për kalim të paligjshëm të kufijve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Borders 5”.Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi:
-O. Ç., 29 vjeç, banues në Fushë-Krujë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas ndihmonte emigrantë nga vendet e treta, të cilët hynin ilegalisht në Shqipëri dhe më pas synonin të kalonin në Mal të Zi, duke i transportuar me automjet kundrejt pagesës prej 500 eurosh për person.
Në momentin që iu bë shenjë për të ndaluar nga punonjësit e Policisë, ai tentoi të largohej, por pas ndjekjes për disa minuta, u bë ndalimi dhe shoqërimi i tij. Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se ky shtetas ishte i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr. 7, Tiranë, pasi Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë kishte dërguar urdhrin për ekzekutimin e vendimit penal të kësaj gjykate, për caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Largim nga vendi i vuajtjes së dënimit”.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.”