Vendosni fjalën kyçe....

Ndahet nga jeta legjenda e mikrofonit sportiv Ismet Bellova


Është ndarë nga jeta Ismet Bellova, një nga figurat më emblematike të sportit dhe gazetarisë sportive shqiptare, mësues, gazetar dhe komentator që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e mikrofonit dhe të edukimit fizik në Shqipëri.

Ai lindi në Tiranë më 1 qershor 1934. Studimet e larta i përfundoi në ILKF “Vojo Kushi” në vitin 1960, duke iu përkushtuar më pas me pasion, profesionalizëm dhe dinjitet profesionit të mësuesit të edukimit fizik, si edhe gazetarisë sportive.

Rrugëtimi i tij në sport nisi herët, që në vitin 1948, kur u shpall kampion i vendit për të rinj në pingpong. Emri i Ismet Bellovës hyri në historinë e transmetimeve sportive shqiptare më 29 nëntor 1950, me komentimin e ndeshjes Dinamo – Partizani 1–0, finale e Kupës së Shqipërisë, duke shënuar kështu fillimin e një karriere të gjatë dhe të suksesshme në Radio Tirana.

Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në sport, arsim dhe gazetari, Ismet Bellova u nderua me një sërë titujsh dhe dekoratash, ndër të cilat spikasin: “Mësues i Popullit”, Urdhri “Naim Frashëri” i Klasit të Parë dhe i Artë, Urdhri i Punës i Klasit të Parë, titulli “Nderi i Sportit Shqiptar”, “Urdhri Olimpik”, “Mirënjohja e Tiranës”, “Nderi i Sportit Dibran”, si dhe titulli “Kalorës i Urdhërit të Flamurit”.

Gjatë jetës së tij, Bellova u vlerësua edhe me një sërë çmimesh profesionale. Në vitin 2004 u krijua Çmimi “Ismet Bellova” në gazetarinë sportive. Ai u nderua me Çmimin e Karrierës në TVSH, dy herë me Çmimin “Anton Mazreku”, si dhe me Mikrofonin e Artë në TVSH.