Vendosni fjalën kyçe....

Osmani: Njohja nga Bahamet, moment historik për Kosovën


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka cilësuar njohjen e Kosovës nga Bahamet si një moment historik për vendin. Ajo theksoi se kjo arritje është rezultat i një pune të gjatë dhe angazhimi intensiv të Presidencës.

“Ky është një moment historik i jashtëzakonshëm për të arriturat e vendit tonë. Jemi jashtëzakonisht të lumtur që, pas një pune të gjatë dhe angazhimi të madh e intensiv të presidencës, sot kemi nënshkruar marrëveshjen për njohje së bashku me kryeministrin Davis dhe gjithashtu marrëveshjen për vendosje të marrëdhënieve diplomatike”, ka deklaruar presidentja Osmani.

Osmani, deklaroi se Kosova dhe Bahamas kanë potencial të madh për të thelluar bashkëpunimin në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë. Ajo theksoi se gjatë takimeve të zhvilluara është diskutuar forcimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe mbështetja e ndërsjellë mes dy vendeve.

Osmani shprehu mirënjohje për angazhimin e kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Bahamas, duke theksuar se përmes komunikimit të vazhdueshëm është bërë e mundur organizimi i vizitës dhe nënshkrimi i marrëveshjeve të rëndësishme, të cilat pritet të sjellin përfitime të tjera në raportet mes dy shteteve.

“Kemi pasur po ashtu një takim të jashtëzakonishëm, ku kemi diskutuar si mund t’i thellojmë raportet tona në fusha të ndryshme të interesit dypalësh.

Ka vërtet potencial të madh që shtetet tona të afrohen edhe më shumë e ta përkrahin njëra-tjetrën edhe më shumë.

Jemi shumë mirënjohës për angazhimin e kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Bahamas, të cilët i kemi takuar edhe në New York.

Përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe komunikimit të përditshëm kemi arritur të organizojmë këtë vizitë, e cila rezultoi me nënshkrimin e marrëveshjeve të rëndësishme dhe do të sjellë shumë të mira të tjera në raportet tona”, ka thënë Osmani.

Presidentja tutje e ka falënderuar popullin e Bahamas, teksa ka theksuar se shumë shpejt do të mirëpres kryeministrin Davis në Kosovë.

“E falënderoj edhe njëherë shtetin dhe popullin e Bahamas, një popull të mrekullueshëm. Shumë shpejt do të mirëpresim kryeministrin Davis në Republikën tonë. Lajmet e mira për vendin tonë nuk do të ndalen”, ka deklaruar Osmani.