Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Prokurori i dosjes së ‘lubisë’ po kërcënohet, Ramës do t’i përgjigjemi si puçist nëse bllokon drejtësinë


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se zëvendëskryeministrja Belinda Balluku duhej të kishte dhënë dorëheqjen, duke theksuar se procesi ndaj saj po shoqërohet me presione dhe kërcënime ndaj përfaqësuesve të drejtësisë.

Në një deklaratë publike, Berisha u shpreh se mbështet çdo prokuror dhe gjyqtar që zbaton ligjin dhe Kushtetutën, ndërsa paralajmëroi se çdo përpjekje për të bllokuar drejtësinë do të ketë përballje të fortë politike.

“Me admirim për çdo burrë, grua, djalë e vajzë që zbaton ligjin. Ata që fshehin krime duhet të jenë përpara ligjit. Prokurorë dhe hetues të guximshëm morën të pandehur zëvendëskryeministren dhe unë i përgëzoj,” u shpreh Berisha.

Ai solli si shembull përvojën e tij si ish-kryeministër, duke theksuar se në të kaluarën një zëvendëskryeministër ka dhënë dorëheqjen pa u kërkuar nga prokuroria, ndërsa sipas tij, në rastin aktual po imponohen vendime antikushtetuese.

“Rasti i Ballukut u shqyrtua në mënyrën më të rrufeshme. Çfarë drejtësie është kjo? Është drejtësi e një organizate kriminale, por edhe në këtë drejtësi ka njerëz që i qëndrojnë ligjit dhe i përgëzoj,” tha ai.

Berisha deklaroi gjithashtu se prokurori që po heton çështjen e Ballukut, të cilën ai e quan “dosja e ‘lubisë’”, është përballur me kërcënime të shumta. Sipas tij, çdo presion apo dhunim ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve do të ketë përgjegjësi direkte politike.

“Prokurori i dosjes së Lubisë po përballet me kërcënime të shumëfishta. Rama do të përgjigjet personalisht nëse u ndodh gjëja më e vogël atyre. Mos guxo të bësh presion ndaj tyre,” deklaroi Berisha, duke iu referuar kryeministrit Edi Rama.

Në përfundim, kreu i opozitës paralajmëroi se nëse, sipas tij, qeveria tenton të bllokojë apo të minojë drejtësinë, Partia Demokratike do t’i përgjigjet “si puçist” çdo veprimi që cenon pavarësinë e institucioneve të drejtësisë.