Vendosni fjalën kyçe....

Gjendet i vdekur autori i dyshuar i sulmit në Brown University, dyshohet se vrau edhe profesor të MIT



Autori i dyshuar i sulmit të armatosur në Brown University, ku javën e kaluar humbën jetën dy persona dhe u plagosën nëntë të tjerë, është gjetur i vdekur mbrëmjen e së enjtes në shtetin e New Hampshire. Autoritetet bëjnë me dije se ai dyshohet se ka vepruar i vetëm dhe se vdekja e tij ka ardhur si pasojë e një plage të shkaktuar nga arma e zjarrit, e vetëshkaktuar, përcjell Euronews.

Sipas hetuesve, trupi i pajetë i të dyshuarit është gjetur brenda një magazine private në New Hampshire, ku ai kishte marrë me qira një hapësirë magazinimi. Në një konferencë për shtyp, shefi i policisë së Providence, kolonel Oscar Perez, deklaroi se nga provat e mbledhura deri më tani, autoritetet besojnë se i dyshuari ka vepruar i vetëm.

“Ne shqyrtuam të dhënat financiare, pamjet filmike dhe informacione të tjera. Në këtë rast konkret, ishte një video që na dha një përshkrim të mjetit të përdorur, i cili më pas u konfirmua edhe nga një informacion i ardhur përmes linjës së denoncimeve,” u shpreh Perez.

Autoritetet konfirmuan se i dyshuari është përgjegjës si për sulmin e armatosur në Brown University, ashtu edhe për vrasjen e një profesori të Massachusetts Institute of Technology. Profesori i MIT u gjet i vrarë në banesën e tij në Brookline, pranë Bostonit, më herët gjatë kësaj jave.

I dyshuari është identifikuar si Claudio Neves Valente, 48 vjeç. Sipas presidentes së Brown University, Christina Paxson, ai kishte qenë i regjistruar në shkollën pasuniversitare të universitetit për të studiuar fizikë nga vjeshta e vitit 2000 deri në pranverën e vitit 2001, por nuk kishte asnjë lidhje aktuale me universitetin.

Sulmi në Brown University ndodhi gjatë javës së provimeve përfundimtare, duke shkaktuar panik dhe kaos në ambientet universitare. Ende nuk është e qartë nëse autori i dyshuar njihte ndonjë nga viktimat që ndodheshin në auditor në momentin e të shtënave. Fillimisht, policia ndaloi një person si të dyshuar, por ai u lirua më pas për mungesë provash.

Hetimi mori një kthesë të rëndësishme të enjten, kur autoritetet njoftuan se po shqyrtonin një lidhje të mundshme mes sulmit në Brown University dhe vrasjes së profesorit të MIT, çka u konfirmua më pas me gjetjen e trupit të pajetë të të dyshuarit në New Hampshire.