
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, është takuar me komunitetin shqiptar në Greqi, gjatë një pritjeje të organizuar në Athinë, ku ka vënë theksin te angazhimi i institucioneve shqiptare për njohjen e pensioneve.
Spiropali theksoi se marrëveshja për pensionet me Greqinë mbetet një prioritet, me synimin për garantimin e të drejtave dhe rritjen e aksesit në shërbime për shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në vendin fqinj.
“Ku ka shqiptarë, ka zemër të mirë, ngrohtësi dhe atdhedashuri. Me shqiptarët e Greqisë, që përfaqësojnë një kapitull të gjallë të historisë moderne të Shqipërisë, në një pritje të veçantë kuqezi në zemër të Athinës”, u shpreh ajo.
Kryetarja e Kuvendit vlerësoi kontributin e komunitetit shqiptar, duke nënvizuar sakrificën dhe dinjitetin me të cilin, sipas saj, ata kanë ndërtuar jetën në Greqi pa harruar rrënjët.
“Ne jemi plotësisht të angazhuar për të arritur Marrëveshjen për Pensionet, për garantimin e të drejtave dhe rritjen e aksesit në shërbime për shqiptarët që jetojnë e punojnë në Greqi”, tha Spiropali.