Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Nuk e parandalonim dot farsën zgjedhore, mbrojtëm votën më 11 maj si në vitin 2001


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se opozita nuk kishte mundësi të ndalonte atë që ai e cilësoi si “farsë zgjedhore” në zgjedhjet e 11 majit, duke theksuar se prioriteti i PD-së ka qenë dokumentimi i shkeljeve dhe mbrojtja e votës së qytetarëve.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD, Berisha akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për përdorim masiv të shtetit dhe burimeve publike gjatë fushatës elektorale, përfshirë shpërndarjen e parave për pensionistët, legalizime, certifikata pronësie, leje ndërtimi dhe veprime të tjera që, sipas tij, kanë deformuar vullnetin e zgjedhësve.

“Ne jemi opozitë dhe nuk mund ta ndalonim këtë farsë. Për këto përmasa të papara më parë, kam deklaruar se me Ramën nuk ka zgjedhje. Ai e faktoi këtë edhe në vitin 2021, kur shpërndau 130 milionë euro, duke i shndërruar zgjedhjet në farsë në një vend të varfër”, u shpreh Berisha.

Kreu i PD-së tha se opozita kishte për detyrë të faktonte dhe dokumentonte shkeljet, si përballë qytetarëve shqiptarë, ashtu edhe para komunitetit ndërkombëtar.

Sipas tij, raporti i OSBE/ODIHR ka konfirmuar akuzat e opozitës për manipulim të procesit zgjedhor dhe përdorim të paligjshëm të pushtetit nga mazhoranca.

Berisha theksoi se, pavarësisht presioneve dhe përpjekjeve për të ndikuar raportet ndërkombëtare, Partia Demokratike arriti të përmbushë objektivin e saj kryesor.

“Ne e mbrojtëm votën më 11 maj, ashtu siç e kemi mbrojtur edhe në vitin 2001”, deklaroi ai, duke shtuar se PD nuk ra në asnjë provokim gjatë procesit.

Në përfundim të fjalës së tij, Berisha nënvizoi se sipas tij, zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri është i pamundur pa largimin e Edi Ramës nga pushteti, ndërsa mbrojtjen e votës e cilësoi si një detyrë të përmbushur ndaj demokratëve dhe gjithë qytetarëve shqiptarë.