
Këshilli Bashkiak i Tiranës i është drejtuar zyrtarisht Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, duke kërkuar lejimin e pjesëmarrjes fizike të kryebashkiakut Erion Veliaj në mbledhjet për konsultimin dhe detajimin e projektbuxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2026.
Në kërkesë theksohet se pjesëmarrja e kryetarit të bashkisë në këto mbledhje është detyrim ligjor, i parashikuar nga legjislacioni për vetëqeverisjen vendore. Këshilli Bashkiak nënvizon se prania e Veliajt është e nevojshme për garantimin e bashkëpunimit institucional dhe trajtimin e çështjeve me interes publik.
Referuar Ligjit nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, kryetari i bashkisë ka të drejtë të marrë pjesë dhe të raportojë në mbledhjet e këshillit, ndërsa Ligji nr. 68/2017 “Për Financat e Qeverisjes Vendore” parashikon se ai përgatit dhe paraqet projektbuxhetin vjetor për miratim.
Në këtë kuadër, Këshilli Bashkiak kërkon që, nëse ndaj kryebashkiakut po zbatohen masa kufizuese, të vlerësohet lejimi i përkohshëm i pjesëmarrjes së tij fizike në një nga datat 16–18 dhjetor 2025, duke shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar për çdo masë sigurie apo protokolli të nevojshëm.
Institucionet përkatëse pritet të japin një përgjigje zyrtare lidhur me këtë kërkesë.