
Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se, “ndoshta për herë të parë” që nga nisja e pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, arritja e një armëpushimi duket e mundur, pas dy ditësh bisedimesh që sollën “përparim në shumë çështje”, përcjell Euronews.
Edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, tha të hënën se gjatë dy ditëve të bisedimeve në Berlin mes Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara është shënuar përparim në disa pika kyçe, duke theksuar se qëndrimi i Kievit është dëgjuar.
“Ka disa gjëra që, sipas mendimit tim, janë shkatërruese dhe padyshim që nuk do të na ndihmonin. Është e rëndësishme që sot të mos i shoh në draftet e reja të dokumenteve”, tha Zelenskyy, duke folur për mediat krah kancelarit Merz.
Delegacionet u udhëhoqën nga Zelenskyy dhe nga i dërguari special i presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, së bashku me Jared Kushner.
Duke folur pas takimeve të zhvilluara në Berlin, Merz theksoi se “ndoshta për herë të parë” që nga fillimi i agresionit rus në shkallë të plotë, një armëpushim është i arritshëm.
Zelenskyy u tregua i kujdesshëm për të hyrë në detaje mbi diskutimet, por pranoi se çështja e territoreve të pushtuarambetet “e dhimbshme”.
“Sigurisht që kemi qëndrime të ndryshme me Rusinë për territoret”, tha ai, duke shtuar se për Kievin është shumë e rëndësishme që delegacioni amerikan e kupton pozicionin e Ukrainës.
“Është e rëndësishme që ne u dëgjuam. Kam një kuptim të thellë të detajeve të kësaj lufte dhe është shumë e rëndësishme që kolegët tanë nga Shtetet e Bashkuara i dëgjuan këto detaje”, theksoi Zelenskyy.
Presidenti ukrainas ndryshoi edhe tonin ndaj rolit të Uashingtonit, duke u shfaqur më optimist për mundësinë e një marrëveshjeje dhe duke mohuar se SHBA po i vendos kushte Ukrainës.
“Nuk besoj se Shtetet e Bashkuara kanë paraqitur ndonjë kërkesë. Unë i shoh SHBA-të si partnerë strategjikë”, u shpreh ai, duke shtuar se Uashingtoni po vepron si ndërmjetës dhe po informon Kievin për kërkesat e Rusisë.
“Ne i perceptojmë këto si kërkesa të Federatës Ruse”, shtoi Zelenskyy, duke theksuar se delegacioni amerikan do t’ua përcjellë edhe rusëve vizionin e Ukrainës.
Zelenskyy ritheksoi se, përveç çështjes së territoreve të pushtuara, dy tema të tjera mbeten thelbësore për Ukrainën: garancitë e sigurisë dhe fondet për rindërtim.
“Do të bëjmë gjithçka për të gjetur përgjigje të qarta për garancitë e sigurisë, territoret dhe paratë si kompensim për rindërtimin e Ukrainës”, tha ai.
Duke qenë se SHBA nuk po ofron anëtarësim në NATO, Zelenskyy theksoi rëndësinë e garancive të sigurisë të ngjashme me nenin 5 të Aleancës Atlantike.
“Është e rëndësishme që SHBA të pranojë garanci sigurie të tipit ‘neni 5’. Aktualisht po punojmë që gjithçka të formalizohet me shkrim”, u shpreh ai.
Sipas mediave amerikane, zyrtarë të SHBA kanë deklaruar se rreth 90% e çështjeve mes Rusisë dhe Ukrainës janë zgjidhur, ndërsa territoret mbeten pika kryesore e mosmarrëveshjes. Po ashtu, thuhet se delegacioni amerikan ka hartuar garanci sigurie të ngjashme me nenin 5, të cilat janë pranuar si nga Kievi, ashtu edhe nga aleatët evropianë.