Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli do të hetojë nëse Irani ka gisht në sulmin vdekjeprurës ndaj komunitetit hebre në Bondi Beach



Autoritetet izraelite po hetojnë nëse aktorë shtetërorë, kryesisht Irani, kanë qenë të përfshirë në sulmin e përgjakshëm ndaj komunitetit hebre në Sidnei, i ndodhur të dielën në Bondi Beach, përcjell JPost.

Sipas burimeve zyrtare, po shqyrtohen gjithashtu lidhje të mundshme me organizata terroriste si Hezbollah, Hamas dhe grupi Lashkar-e-Taiba me bazë në Pakistan, i cili ka lidhje me Al-Kaedën.

Shërbimet izraelite të inteligjencës kanë paralajmëruar prej kohësh se Teherani ka shënjestruar komunitete hebreje jashtë Izraelit, duke kontrabanduar armë dhe duke përdorur rrjete në mediat sociale për të nxitur dhunë.

Të paktën 11 persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën, pasi një sulm i armatosur shënjestroi një aktivitet për festimin e Hanukës në Bondi Beach, në juglindje të Australisë. Mes viktimave ishte edhe rabini Eli Schlanger, përfaqësues i lëvizjes Chabad.

Kryeministri australian, Anthony Albanese, foli për mediat pas ngjarjes, duke e cilësuar sulmin si një akt të rëndë terrori. Ai kujtoi se Irani kishte tentuar edhe më herët sulme antisemitike në Australi.

Në muajin gusht, Albanese dhe autoritetet e rendit deklaruan se regjimi islamik iranian ishte truri pas të paktën dy sulmeve të mëdha me zjarrvënie kundër objektivave hebreje në Australi dhe se kishte gjasa të ishte përgjegjës edhe për incidente të tjera.