
Ervin Salianji ka reaguar pas takimit të zhvilluar me demokratët e Partisë Demokratike në Gjirokastër, duke e cilësuar mbledhjen si “të jashtëzakonshme”. Në mesazhin e tij, ai theksoi pritshmëritë e qytetarëve për një PD të orientuar drejt së ardhmes dhe të aftë për të sjellë ndryshimin.
Salianji u shpreh se sot në Shqipëri ka një kërkesë të qartë për energji të re, ide të reja dhe garanci për fitore. “Vendit i duhet rotacion, i duhet shpresë, i duhet normalitet,” deklaroi ai, duke nënvizuar se Partia Demokratike ka potencialin për t’i kthyer këto pritshmëri në realitet, por se për këtë është i domosdoshëm ndryshimi.
Ai theksoi se Shqipëria pret një alternativë të besueshme, moderne, të hapur dhe fituese, ndërsa shtoi se koha për ndërtimin e kësaj alternative është tani. “Partia Demokratike ka detyrimin të bëhet forcë fituese,” tha Salianji.
Në fund, ai shprehu mirënjohje për pjesëmarrjen e demokratëve të Gjirokastrës në takim. “Mirënjohje nga thellësia e zemrës për shumicën dërrmuese të kryesisë e drejtuesve të strukturës që ishin aty dhe për çdo demokrat të Gjirokastrës,” shkroi ai.