Vendosni fjalën kyçe....

Italia gati të rihapë qendrën e Gjadrit për procedurat e përshpejtuara të azilit



Qendra e Gjadrit në Shqipëri pritet të rikthehet në funksion të plotë si pjesë e planit të ri të Ministrisë së Brendshme italiane për menaxhimin e migrantëve që vijnë nga vendet e konsideruara të sigurta. Sipas projektit të prezantuar nga ministri Matteo Piantedosi, migrantët nuk do të përpunohen më drejtpërdrejt në bord të anijeve shtetërore, por do të transferohen në Shqipëri pas regjistrimit fillestar në hotspot-et italiane.

Qendra shqiptare do të shërbejë si një pikë e jashtme e përpunimit të kërkesave të azilit përmes procedurave të përshpejtuara të kufirit, të parashikuara nga paketa e re evropiane e migracionit.

Lista e zgjeruar e vendeve të origjinës së sigurta — që përfshin tani Bangladeshin dhe Egjiptin, nga të cilët vetëm këtë vit kanë ardhur mbi 28 mijë persona — pritet të rrisë ndjeshëm numrin e migrantëve që do të transferohen në Shqipëri. Po ashtu, procedurat e përshpejtuara do të aplikohen edhe për shtetasit tunizianë dhe marokenë, të cilët mund të riatdhesohen brenda një afati të shkurtër.

Plani i Viminales parashikon që pjesa dërrmuese e 1.100 vendeve të qendrës së Gjadrit të jetë vazhdimisht e mbushur, me një qarkullim të shpejtë të personave që do të qëndrojnë aty deri në një muaj, derisa të përfundojnë procedurat e azilit.

Ndër ndryshimet kryesore të rregullave të reja evropiane është heqja e pezullimit automatik të riatdhesimit në rast ankimi. Migrantët mund të apelojnë, por riatdhesimi do të zbatohet, përveç rasteve kur gjykata vendos pezullimin e urdhrit.

Ministri italian i Drejtësisë, Carlo Nordio, ka deklaruar se paketa e re ligjore sjell “qartësi të rëndësishme juridike”, duke i dhënë fund paqartësive që më herët u ngritën nga gjykatat italiane, të cilat kritikonin mungesën e kriterit të vendeve të sigurta.

Qeveria italiane beson se me rregullat e reja të BE-së janë adresuar të gjitha kundërshtimet ligjore që vononin implementimin e plotë të marrëveshjes me Shqipërinë.

Aktualisht, qendra e Gjadrit ka mbetur pothuajse e zbrazët, një situatë që ka sjellë kritika të forta — përfshirë nga Konferenca Ipeshkvnore Italiane, e cila e ka quajtur projektin “në kufijtë e demokracisë”.

Me aktivizimin e listës së re të vendeve të sigurta, Roma synon t’i japë jetë të plotë “modelit Shqipëria”, duke e kthyer Gjadrit në pikën qendrore të administrimit të migrantëve jashtë territorit italian.