
Disa tregues që lidhen me përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energji si dhe sigurisë së rrjetit të transmetimit do të rishikohen në rregulloren që Enti Rregullator i Energjisë ka hapur si procedurë për ndryshim.
Konkretisht bëhet fjalë për shkurtim të kohëzgjatjes mesatare të ndërprerjeve që sipas rregullores fillestare të vitit 2017 duhet të shkojnë në një nivel të ri përmirësimi.
Por cilët janë në fakt treguesit që do të rishikohen?
“AIT (Koha mesatare e ndërprerjes) është 35 min – propozohet të bëhet 25.96 min; – ENS (Energji e pafurnizuar) është 467 MWh – propozohet të bëhet 365.997 MWh; si dhe – SAIDI (Indeksi i Kohëzgjatjes Mesatare të Ndërprerjeve) është 100 min – propozohet të bëhet 39.48 min. – VQ (Cilësia e Tensionit) është brenda diapazonit: -10%, +11.8 – propozohet të bëhet brenda diapazonit (110 kV- 300 kV): 0.90 pu – 1.118; dhe brenda diapazonit (300 kV – 400 kV): 0,90 pu – 1,05 pu”, thuhet në pikat e rishikuara.
Po kështu Enti ka ndryshuar pikën e fundit të nenit 7 ku thuhet se “Nivelet e pritshme të performancës, siç miratuar nga ERE, do të vihen në zbatim menjëherë dhe do të mbeten në fuqi, deri në rivlerësimin e këtyre standardeve nga ERE në funksion të përformancës së matur, raportuar dhe ushtruar”.
Po kështu pika 7.3 e këtij nenit do të sanksionojë se OST sha ose ERE me iniciativën e saj do të propozoje dhe ERE do të miratojë nivelin e lejuar të rishikuar të kritereve standarde të cilësisë së shërbimit në funksion të përformancës së matur, raportuar dhe ushtruar.
Lidhur me kompensimin në rastet kur nuk përmbushen standardet e kërkuara rregullorja do të ketë të rishikuar edhe pikën 9.1 të nenit 9 ku thuhet se kompensimi i klientëve fundor të lidhur në rrjetin e transmetimit, në rast të mosrespektimit të kritereve standarde të cilësisë së furnizimit dhe performancës së sigurisë së rrjetit në sistemin e transmetimit të energjisë elektrike sipas përcaktimeve të kësaj Rregulloreje, do të bëhet bazuar në përcaktimet e Kodit të Rrjetit të Transmetimit dhe Marrëveshjes së Shërbimit të Transmetimit
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor