Vendosni fjalën kyçe....

“S’ka si letërsia, “Dielli në Mërgim” art që fisnikëron, dëshmi se shqiptarët do bëjnë letërsi të pavdekshme” – Spiropali


Ministrja e Punëve të Jashtme, Elisa Spiropali, ka shkruar një reflektim mbi rëndësinë e letërsisë në jetën shoqërore dhe kulturore, duke e cilësuar atë si “nivelin më të lartë të sofistikimit të qenies njerëzore”.

Spiropali veçon në mënyrë të veçantë romanin “Dielli në mërgim” i shkrimtares Ani Ëilms, të cilin ajo e cilëson si një vepër që lidh në mënyrë të ndërlikuar drama njerëzore, breza dhe hapësira të ndryshme gjeografike. Ajo e përshkruan librin si “një roman të jashtëzakonshëm, të qëndisur me mjeshtëri nga njëra prej pak romanciereve të rëndësishme të letërsisë sonë”.

Reflektimi vjen vetëm pak ditë pas përfundimit të Panairit të Librit, një veprimtari sipas Spiropalit shërben si një rikujtim i domosdoshëm për vlerën e librave, autorëve dhe artit letrar në shoqëri.

Ministrja thekson se leximi mbetet një shtyllë thelbësore e zhvillimit kulturor dhe intelektual, duke paralajmëruar se largimi nga libri dhe kultura e leximit do të përbënte një humbje serioze dhe të pakthyeshme për shoqërinë.

Postimi i Spiropalit

“S’ka si Letërsia

Është gjithmonë kënaqësi të flasësh për gradën më të lartë të sofistikimit të qënies njerëzore: Letërsinë. Për librat, brendinë e tyre, autorët, protagonistët, stilet, atmosferat. Sidomos kur sapo u mbyll një Panair.

Për më tepër kur fjala është për një roman të jashtëzakonshëm: “Dielli në mërgim”, që ngërthen disa drama, disa breza, disa vende. Dhe aq më shumë kur atë roman e ka qëndisur mjeshtërisht njëra nga të paktat romanciere femra që kemi, Ani Wilms.

Letërsia është Ajo që më së shumti na lumturon, na urtëson, na orienton, pse jo, dhe na modelon, shijet, sjelljet, zakonet, mënyrat. S’ka si Letërsia. Pa Letërsinë bota do të ishte më e egër, jeta më e vrazhdë, marrëdhëniet më të vështira, luftrat më të shpeshta dhe me pasoja më dramatike, shoqëria më e ftohtë, progresi më i ngadaltë.

Falë Letërsisë dhe romaneve seriozë si i Ani Wilms, njerëzimi përparon, bëhet gjithmonë e më i butë, më i thellë, më reflektues, jeta më e dashur, fatkeqësitë më pak të hidhura, problemet më të zgjidhshme.

Shqipëria është një ndër shembujt ku, si kudo në botë, ajo që u prin zhvillimeve pozitive është Letërsia. Jo Letërsia e vogël, meskine, mediokre, që të ngushton, të dëshpëron. Por Letërsia e madhe. Ajo që të frymëzon shpirtrin, të ngroh zemrën, të tregon rrugën.

“Dielli në mërgim” nga Ani Wilms e provon. Është pikërisht një shembull i tillë. Të bëjmë kujdes me Letërsinë. T’i shërbejmë, ta mirëmbajmë. Nuk është e vështirë. Nuk kërkon shumë mund. Mjaft të mos e braktisim, të mos e harrojmë. Asgjë më tepër se sa ta lexojmë.

Me gjasa, për shqiptarët të cilëve nuk u ka munguar kurrë dëshira për të lexuar, vështirësia e vetme për të mos e lënë Letërsinë të sëmuret ose të vdesë, është mungesa e kohës. Është e mirëkuptuar. Por nuk është justifikim serioz. Asnjë kohë nuk është më e çmuar se koha e leximit. As koha e gjumit.

Pa Anna Kareninën, Hamletin, Faustin, Taras Bulbën, Ebu Qerimin, Çiçikovin, Naimin, Liqerin, Gjorg Berishën, bota do ishte më e trishtë, jeta më e vështirë, natyra nuk do na dukej fort e bukur.

Po të ndodhë, larg qoftë, të rreshtim së shkruari romane, thurim vargje, organizojmë panaire, do gjejmë belanë.

Autorët, shkrimtarët, protagonistët, poetët, dramaturgët, tragjedianët, Hektori, Akili, Hamleti, Makbethi, Kadare, Floberi, Anna Karenina, Zonja Bovari, Anna Ahmatova, Noli, Konica, e të tjerë e të tjerë, do të ngrihen nga varri me thika e sëpata në duar, do vijnë të na vrasin, të na thonë se s’ka zgjidhje tjetër veç të vdesim ne, të ngjallen ata.

Inshallah kjo nuk ndodh, se po ndodhi nuk do gjejmë dot vend ku të fshihemi, as prokurori ku të ankohemi.

Pikturën, skulpturën, muzikën, i bën edhe Natyra.

I vetmi Art që Natyra nuk e bën dot është Letërsia.

S’ka si Letërsia. Pa Letërsinë do kishim mbetur majmunë duke u kacavjerrë nëpër degë.

Më thuaj cilën Letërsi ke lexuar, të them në cilën kohë ke jetuar.

“Dielli në mërgim” nga Ani Wilms, është shenja e sigurtë, lajmi i mirë, se shqiptarët do të vazhdojnë të bëjnë Letërsi të pavdekshme.”