Vendosni fjalën kyçe....

Rama për çështjen “Balluku”: Nuk është betejë politike, por betejë institucionale për ndarjen e pushteteve



Kryeministri Edi Rama, gjatë episodit të radhës të podcast-it “Flasim”, ka deklaruar se dërgimi i çështjes “Balluku” në Gjykatën Kushtetuese nuk përbën presion ndaj drejtësisë apo përfshirje në betejë politike, por është një hap thelbësor për mbrojtjen e balancës mes pushteteve.

Rama theksoi se ankimimi synon të ruajë kufijtë kushtetues mes ekzekutivit, legjislativit dhe drejtësisë, duke e cilësuar pezullimin e një ministri nga një prokuror apo gjykatës si “precedent të rrezikshëm për demokracinë” dhe të panjohur në vendet demokratike.

“Ankimimi që kam bërë në Gjykatën Kushtetuese nuk është një betejë politike, nuk është kundërvënie ndaj drejtësisë dhe as presion mbi askënd. Është një betejë institucionale për mbrojtjen e kufijve mes pushteteve dhe për të mos lejuar marrjen e kompetencave ekskluzive të kryeministrit, qeverisë dhe parlamentit nga një prokuror apo gjykatës.”

Kryeministri argumentoi se pezullimi, edhe pse “de jure” quhet i tillë, në praktikë përbën “nënshtrim brutal të ekzekutivit”, duke sjellë pasoja të drejtpërdrejta në funksionimin e institucioneve.

Ai përmendi si shembull arrestin shtëpiak të drejtuesve të ARRSH-së dhe KESH-it, duke nënvizuar se pezullimi i një ministri e bën të pamundur zëvendësimin e tyre:

“Lihen pa drejtues dy institucione kyçe të vendit. Pezullimi i një ministri e bën të pamundur emërimin e drejtuesve të rinj, sepse kjo është kompetencë ekskluzive e ministrit. Ministri nuk mund të trajtohet si një funksionar i zakonshëm i administratës.”

Rama shtoi se qëndrimi i tij vjen në mbrojtje të parimit të mosndërhyrjes në drejtësi, por kujtoi se ndërhyrja në trupën e qeverisë përmes pezullimeve pa gjyq është shqetësim i ngritur edhe nga institucionet e Këshillit të Europës.

“Kjo është një këmbanë alarmi që duhet dëgjuar deri në fund, për të mos u përsëritur më. Duke rivendosur pushtetet në pozicionet e tyre kushtetuese, ndihmojmë Shqipërinë dhe konsolidimin e shtetit.”

Çështja “Balluku” pritet të shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa debati mbi ndarjen e pushteteve dhe kompetencat e ekzekutivit mbetet në qendër të diskursit politik të ditës.