Vendosni fjalën kyçe....

Begaj nuk firmos ligjin për barazinë gjinore, hyn automatikisht në fuqi



Presidenti Bajram Begaj ka kaluar në heshtje ligjin e debatueshëm “Për barazinë gjinore”, i cili tashmë hyn automatikisht në fuqi.

Ligji u miratua më 6 nëntor në Kuvend me 77 vota pro dhe 36 kundër. Afati kushtetues për firmosjen e tij nga presidenti skadoi pa një dekret, çka do të thotë se akti “kaloi në heshtje” dhe bëhet pjesë e legjislacionit në fuqi.

Përpara afatit të dekretimit pati kundërshtime të forta nga opozita. Deputete të saj i kërkuan presidentit të mos e firmoste, duke argumentuar se ligji cenon Kushtetutën dhe liritë themelore, si feja, edukimi dhe media. Edhe grupime fetare dhe organizata të shoqërisë civile kundërshtuan disa nene, duke i cilësuar ato si të papërshtatshme për familjen dhe traditat shqiptare.

Nga ana tjetër, institucionet dhe aktorët që mbështetën ligjin theksuan se ai është i domosdoshëm për harmonizimin e legjislacionit me standardet ndërkombëtare dhe për garantimin e barazisë gjinore në punë, arsim, përfaqësim dhe të drejta sociale.

Me heshtjen e presidentit dhe hyrjen në fuqi të ligjit, çështja konsiderohet e mbyllur në nivel institucional.