Vendosni fjalën kyçe....

Bllokohen 51 ton misër me aflatoksinë nga Serbia


Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka zbuluar prani të aflatoksinës në një sasi prej 51 tonelatash me origjinë nga Serbia.

Në një njoftim zyrtar, AKU bëri të ditur se analizat laboratorike të kryera mbi mostrat e marra nga dy ngarkesat e misrit, të destinuara për ushqim kafshësh, kanë konfirmuar praninë e Aflatoksinës B1.

Për pasojë, njëra prej ngarkesave është kthyer në vendin e origjinës, ndërsa tjetra është bllokuar dhe do t’i nënshtrohet procesit të asgjësimit.

“Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në kuadër të transparencës publike dhe në zbatim të legjislacionit aktual, njofton se, sipas Planit Vjetor të Kontrolleve Zyrtare, në Pikën e Inspektimit Kufitar në Han të Hotit janë kryer verifikime mbi dy ngarkesa me misër nga Serbia, të destinuara për ushqim kafshësh. Pas analizave laboratorike, në të dyja ngarkesat është konstatuar prania e Aflatoksinës B1. Njëra prej tyre është rikthyer në vendin e origjinës, ndërsa tjetra është bllokuar në ambientet e subjektit me urdhër për asgjësim. AKU siguron opinionin publik se çdo produkt ushqimor i importuar i nënshtrohet kontrolleve të rrepta, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve”, thuhet në njoftimin e institucionit.