
Biznesmeni austriak Bernd Bergmair, ish-pronari i Pornhub, një faqeje me përmbajtje pornografike, i është drejtuar Thesarit të SHBA-së për blerjen e aseteve ndërkombëtare të kompanisë ruse të naftës Lukoil, e cila është sanksionuar, thanë dy burime të njohura me çështjen.
SHBA vendosi sanksione ndaj Lukoil, prodhuesi më i madh i naftës në pronësi private në Rusi, si pjesë e përpjekjeve për të ushtruar presion ndaj Moskës për t’i dhënë fund luftës së saj në Ukrainë.
Sanksionet e kanë detyruar Lukoil të shpallë shitjen e aseteve të huaja, me blerës të shumtë që u janë drejtuar autoriteteve amerikane për leje për të biseduar me Lukoil, duke përfshirë gjigantët e naftës Exxon Mobil dhe Chevron.
Përmes një avokati, Bergmair nuk pranoi të specifikonte se për cilat asete ishte i interesuar, nëse i ishte drejtuar tashmë Lukoil, ose nëse ishte pjesë e një konsorciumi investimi.
“Padyshim që Lukoil do ishte një investim i madh dhe çdokush do ishte me fat të kishte privilegjin e zotërimit të atyre aseteve,” i tha ai Reuters.
“Unë nuk komentoj për investimet e mundshme si çështje parimore.”
Burimet nuk pranuan të identifikoheshin me emër për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.
Interesi për asetet e huaja të Lukoil është rritur që kur Thesari i SHBA-së muajin e kaluar u dha leje kompanive të fillojnë bisedimet me Lukoil. Thesari ka lejuar diskutimet deri më 13 dhjetor dhe do duhet të miratojë çdo marrëveshje.
Lukoil International me seli në Vjenë, zotëron rafineri në Evropë, aksione në fusha nafte në Kazakistan, Uzbekistan, Irak dhe Meksikë, plus qindra pika karburanti me pakicë në mbarë botën. Asetet vlerësohen rreth 22 miliardë dollarë, bazuar në dokumentet e vitit 2024.
Një zëdhënës i Thesarit të SHBA-së nuk pranoi të komentonte kur u pyet nëse Bergmair kishte folur me departamentin.
Bergmair, i cili punoi për Goldman Sachs në Nju Jork si bankier investimesh në vitet 1990 përpara se t’i drejtohej investimeve private, ishte pronari i shumicës së aksioneve të MindGeek – një firmë me bazë në Luksemburg me faqe përfshirë Pornhub, RedTube dhe YouPorn – derisa u shit në vitin 2023 për një shumë të pazbuluar te një firmë private kanadeze e kapitalit, shkruan Reuters.