
Deputeti Agron Shehaj ka sulmuar ashpër qeverinë në Kuvend, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama, ministrin Taulant Balla dhe mazhorancën për shmangie të llogaridhënies në lidhje me çështjen Balluku.
Shehaj tha se prej dy muajsh kërkon interpelancë me ish-ministren Belinda Balluku. Ai shtoi se ka kërkuar interpelancë edhe me kryeministrin, i cili sipas tij po i largohet llogaridhënies.
“Nuk e di se si do ta zgjidhim këtë problemin e mohimit të të drejtës për interpelancë që si deputet kam. Kam kërkuar në 2 muaj me Ballukun, por tani nuk është më ministre.
I shpëtoi interpelancës por përfundoi më keq. Por kam një kërkesë për interpelancë edhe me kryeministrin. E kuptoj se kërkoni të shmangni llogaridhënien por s’i shpëtoni dot.
Ju mendonit se kur u arrestua Veliaj ishte një çështje që kishte me të. Tani që është marrë e pandehur Balluku…vërtet mendoni se kemi të bëjmë me çështje të përvetshme të disa individëve.
Ky është ndryshim thelbësor. Duhet të jepni llogari dhe nuk keni ca t’i bëni drejtësisë, SPAK se kanë mbrojtjen e ndërkombëtarëve.
Dhe këto sulmet qesharake që bëni përditë, Rama çdo ditë kërcënon Gjykatën Kushtetuese me broçkulla se kemi marrë të pandehur Ballukun dhe shqiptarët nuk udhëtojnë dot në Kanada, tani ka filluar ministri i drejtësisë me postime.
Del Balla dhe thotë pyesni Chat GPT, nuk ka ndodhur ndonjëherë por prapë unë thotë nuk flas për gjykatësit. S’ia mban atij se ka frikë se përfundon si të tjerët.
Nuk e shmangni dot daljen para drejtësisë. E keni të kotë,. Ndajeni mendjen, dilni cdo ditë sic po ndodh. Bashkëpunimi me drejtësinë se iu ka ardhur fundi.”, tha Shehaj.