Vendosni fjalën kyçe....

Rutte: Aleatët do të financojnë 5 miliardë dollarë armë për Ukrainën këtë vit



Shtetet e Bashkuara thuajse ndaluan furnizimet me armë për Ukrainën këtë verë, duke i bërë thirrje shteteve evropiane të blejnë vetë pajisje amerikane dhe t’ia dhurojnë Kievit — dhe aleatët kanë kontribuar deri tani me miliona euro çdo muaj, përcjell Euronews.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi të mërkurën se aleatët e Ukrainës pritet të arrijnë deri në fund të vitit angazhime prej 5 miliardë dollarësh (4.3 miliardë euro) për blerjen e armëve amerikane përmes nismës PURL (Prioritised Ukraine Requirements List), e cila koordinon blerjet nga rezervat amerikane të pajisjeve që Ukraina ka më shumë nevojë.

Programi u krijua në korrik, pasi administrata Trump njoftoi reduktim drastik të dërgesave të armatimit e pajisjeve për Ukrainën. Deri tani më shumë se 20 aleatë kanë kontribuar.

Këtë javë, pesë vende njoftuan angazhime të reja financiare:

  • Kanada: 171 milionë euro

  • Holanda: 214 milionë euro

  • Gjermania, Norvegjia dhe Polonia: gjithsej 429 milionë euro

Australia dhe Zelanda e Re gjithashtu janë bashkuar me PURL-in, megjithëse nuk janë anëtare të NATO-s.

Rutte tha se kjo valë e re angazhimesh “na vendos në rrugën e 5 miliardëve dollarëve deri në fund të vitit” dhe paralajmëroi se deri në fund të 2026-ës, angazhimet pritet të arrijnë 1 miliard dollarë në muaj.

Sipas Rutte, tani vetëm një numër i vogël vendesh nuk ka bërë ende angazhime — ndër to Italia dhe Franca, e cila preferon të dërgojë pajisje të prodhuara në Evropë, në vend të blerjes së armatimit amerikan.

Ky qëndrim po shkakton pakënaqësi tek disa vende kontribuuese.

Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Kęstutis Budrys, deklaroi se:

“Duhet ta ndajmë barrën. Nuk mund të vazhdojmë kështu, vetëm mbi supet e vendeve nordike, baltike, Gjermanisë, Polonisë dhe disa të tjerëve.”

Vlerësohet se Ukraina do të ketë nevojë për të paktën 83 miliardë euro për nevojat e saj ushtarake në dy vitet e ardhshme. Evropa është aktualisht donatori më i madh i ndihmës ushtarake dhe financiare për Kievin, dhe pritet të mbajë peshën kryesore të financimit.

Rutte paralajmëroi se edhe në 2026 pritet një faturë vjetore prej të paktën 12–15 miliardë dollarësh vetëm për armët e blera përmes PURL-it.