
Elon Musk shkaktoi polemika të reja të mërkurën pasi shkroi në platformën e tij X/Twitter se “Hebrenjtë janë të bardhë, në mos kulmi i së bardhës”. Komenti, që ka mbledhur mbi 7.5 milionë shikime, erdhi pas një deklarate të tij se “të bardhët po shkojnë drejt zhdukjes”, përcjell JPost.
“Nëse trendet aktuale vazhdojnë, të bardhët do të kalojnë nga një pakicë e vogël e popullsisë botërore sot, në praktikisht të zhdukur!” shkroi Musk, duke iu përgjigjur një postimi tjetër që pretendonte se “me vetëm 8% të popullsisë botërore, të bardhët janë në prag të zhdukjes”.
Një përdorues komentoi se “ata bënë një punë mjaft të mirë duke na bërë ne hebrenjtë pothuajse të zhdukur, dhe siç thotë shprehja… gjithçka fillon me hebrenjtë, por nuk mbaron aty”. Kjo nxitje solli përgjigjen e Muskut se hebrenjtë janë të bardhë.
Komenti i tij u shoqërua menjëherë me një “community note”, ku theksohej se “edhe pse ka shumë hebrenj të bardhë, hebrenjtë nuk janë një grup i vetëm racor – ata janë shumë të larmishëm”, duke bashkangjitur artikuj për hebrenjtë mizrahi dhe sefardë.
Përdoruesi që kishte bërë komentin fillestar shtoi: “Unë jam mjaft i bardhë”, ndërsa Musk iu përgjigj: “Është e lehtë ta zbulosh duke parë veten në pasqyrë.”