Vendosni fjalën kyçe....

Salianji mbledh demokratët në Durrës, i bashkohen drejtuesit lokalë të PD-së: Koha të ringrihemi


Ish-deputeti Ervin Salianji ka zhvilluar një takim me strukturat e Partisë Demokratike në Durrës, ku sipas burimeve brenda forcës politike, i janë bashkuar një numër i konsiderueshëm drejtuesish lokalë dhe figura të njohura të PD-së në qark.

Mes pjesëmarrësve ishin kryetari i grupit të këshilltarëve të PD në Bashkinë Durrës dhe ish-drejtues i Foltores, Tan Burgia; nënkryetarët e Degës, Vis Shuaipi; ish-deputeti Pëllumb Berisha; sekretari i Degës, Arlind Boshku; sekretari organizativ, Nikolin Radovani; si edhe Luan Hoti, kryetari i fundit i zgjedhur me votë.

Në takim morën pjesë gjithashtu drejtues strukturash, ish-deputetë dhe drejtues ndër vite, si dhe pjesa dërrmuese e drejtuesve të grupseksioneve.

Deputetët më të votuar të Qarkut të Durrës, Aulon Kalaja dhe Ndreca Pjetri, ishin gjithashtu pjesë e mbledhjes. Aktualisht, Dega e Durrësit nuk ka kryetar të zgjedhur.

Salianji foli për mediat para takimit me demokratët në Durrës.

Ai theksoi rëndësinë e rikthimit të politikanëve tek qytetarët dhe kontaktit të drejtpërdrejtë me ta përmes kafeve, takimeve dhe bashkëbisedimeve.

Salianji shtoi se do të marrë pjesë në çdo takim ku do të ftohet nga demokratët për të ndarë mendimet se si PD të bëhet më e fortë dhe të jetë alternativë qeverisëse.

Salianji u shpreh: “Salla është plot, është e rëndësishme që cilido prej politikanëve, por sidomos ata të PD, të kthehen tek njerëzit, tek kafet, tek takimet, tek bashkëbisedimet, për të bërë të mundur ringritjen e PD, ripërtëritjen. Unë do të jem në çdo takim ku do të më kërkojnë demokratët për të ndarë mendimet se si PD të bëhet e fortë dhe të jetë alternativë qeverisëse. Janë të gjithë në takim, struktura e PD.”

Ndërkohë përpara sallës me mbështetësit demokratë, Salianji theksoi rëndësinë e mobilizimit të demokratëve dhe rikthimin e komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët.

Ai nënvizoi se ndryshimi i Partisë Demokratike duhet të nisë nga qelizat më të vogla deri tek ato më të mëdha dhe se PD duhet të përgatitet për të fituar zgjedhjet e ardhshme dhe për të mundur qeverinë aktuale.

“Rizgjim i PD, sepse ju jeni heronjtë e PD, keni sakrifikuar dhe keni dhënë kontribut duke u përballur me autokraci dhe në këmbim s’keni kërkuar asgjë veç vëmendjes, e dëgjesës, e ndarjes së shqetësimeve që secili i ka për fuqizimin e PD. Demokratët janë duke thirrur, Shqipëria është duke thirru, thirrjet e tyre s’duhen relativizuar dhe nuk duhen injoruar. Këto thirrje janë dhimbje që rëndojnë dhe duhet të rëndojnë në peshën e përgjegjësi të çdo politikani, e kam ndjerë këtë thirrje dhe përgjegjësiajonë duhet të jetë e qartë, PD duhet të përgatitet të udhëheqë ndryshimin që gjithë po presin ky ndryshim nis edhe nga kjo sallë si takim i parë që i zhvillojmë me demokratët, nga kjo energji që është e pashtershme në PD por që nuk i jepet mundësia”, tha Salianji.

Por ndërkohë anëtarëve të PD, dega Durrës u ka mbërritur një mesazh ku theksohet se persona të paautorizuar kanë shpërndarë një njoftim për takim me strukturat, të cilët nuk kanë të bëjnë as me PD-në dhe as me agjendën e saj.

Në mesazh thuhet se PD ka në fokus betejën kundër korrupsionit të qeverisë dhe ka hyrë në një proces të analizës së brendshme.

Në mesazh gjithashtu shtohet se anëtarët e PD-së distancohen nga këto takime te njoftuara. Mesazhi mban autorësinë e kryetarëve të degëve 1 dhe 2 në Durrës, Ard Muka dhe Osman Stafa.

“Persona te paautorizuar kane shpërndarë një njoftim për takim me strukturat tona. Ky njoftim nuk ka te bëje as me Partine Demokratike dhe as me agjendën e saj. Ai njoftim është fund e krye dezinformim.

Ndërkohe jemi duke hyre ne procesin e brendshëm te analizës, gjithnjë vetëm brenda forumeve te Partisë. Ndaj ne, si anëtare te PD-se, distancohemi nga këto te ashtuquajtura takime te njoftuara për nesër, date 3 Dhjetor”, thuhet në mesazhin e dërguar.

Ky mesazh vjen pasi ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji ka njoftuar se këtë të mërkurë do të nisë në orën 18:00 foltoren nga qyteti i Durrësit për të diskutuar mbi situatën në PD dhe zgjedhjeve të majit.