
Kremlini ka mohuar sot se presidenti rus Vladimir Putin ka refuzuar të gjitha propozimet e Shteteve të Bashkuara për paqen në Ukrainë, pas takimeve në Moskë me të dërguarin special të presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner.
Zëdhënësi i Putinit deklaroi se është e gabuar të thuhet se presidenti rus i ka hedhur poshtë të gjitha pikat e planit, duke theksuar se disa prej tyre janë “pranuar”, ndërsa të tjerat janë cilësuar si “të papranueshme”.
Reagimi nga Moska vjen një ditë pasi Putin u shpreh se Rusia nuk dëshironte të luftonte me Europën, por ishte “gati” nëse një konflikt do të niste. Deklarata e tij shkaktoi një përgjigje të menjëhershme nga Londra, përcjell BBC.
Një zëdhënës i kryeministrit britanik Keir Starmer e cilësoi fjalën e Putinit si propagandë.
“Kjo është edhe një herë propagandë e Kremlinit nga një president që nuk është serioz për paqe,” u shpreh ai.
Ndërkohë, ministrat e jashtëm të NATO-s, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, janë mbledhur në Bruksel për të diskutuar mbi situatën në Ukrainë dhe çështjet e mbrojtjes.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha sot se Bashkimi Europian ka arritur një marrëveshje të përkohshme për t’i dhënë fund importeve të gazit rus deri në vitin 2027.