
Në Kuvend, deputetja Romina Kuko bëri te ditur se ka vizituar Fushën e Maliqit për të parë nga afër dëmet e shkaktuara nga përmbytjet dhe theksoi nevojën për projekte të qëndrueshme dhe masa parandaluese.
Kuko tha se situata është e rëndë, shtëpi dhe stalla të përmbytura dhe tokat e mbushura me ujë. Ajo vuri në dukje se lumi Devoll ka ndryshuar shtratin dhe nuk mban më prurjet, duke theksuar se pastrimi i tij duhet të bëhet çdo vit.
“Lumi Devoll nuk është më ai i dikurshmi, shtrati është mbushur me rërë, është ngritur dhe nuk mban më prurjet.Nga Zëmblaku e der më poshtë situata është e njëjtë. Një mur artificial drtyron të dalë jashtë shtratit lumin Devoll. Për pastrimin e plotë nga lart deri në fund çdo vit është shumë e rëndësishme. Dëgjova shpesh të thuhet në fakt emergjenca, fondi emergjencës por kjo nuk është vetëm një punë emergjence, kjo është një punë sistemi parandalues.”
Deputetja theksoi rëndësinë e rikthimit të brezeve pyjore përgjatë lumenjve, të cilat ulin shpejtësinë e prurjeve dhe mbrojnë tokën nga erozioni, si dhe nevojën për veprime mbrojtëse si mure me gurë në pikat kritike.
“Banorët më përmëndën një zgjedhje të vjetër për të provuar, brezat pyjor, plepat dhe bimësi e lartë që kanë që mburoja natyrore e fushës së Korçës. Është zgjidhje e provuar. Ato breza ulin shpejtësinë e prurjeve, mbrojnë tokën nga erozioni dimrit dhe krijon stabilitet natyror. Ato duhen rikthyer përgjatë lumenjve në tokat e lira se siç më thanë në fakt një brez pyjor vlen më shumë se një metër kub beton.”
Ajo bëri thirrje për zbatimin e projektit të ribonifikimit të Fushës së Maliqit për të parandaluar dëmet e ardhshme.
Fjala e plotë:
Para disa ditësh isha në Korçë, konkretisht në Maliq, për të parë nga afër dëmet nga përmbytja. Dëme që nuk janë vetëm shifra në raporte, por janë shtëpi të përmbytura, stalla të shkatërruara, njerëz me këmbët në baltë duke shpëtuar ç’të munden. Normalisht, emergjencat civile, bashkia, ushtria, policia dhe gazetarët kanë bërë një punë shumë të mirë. Dua t’u shpreh ngushëllimet familjarëve të Flora Hoxhës, që humbi jetën fatkeqësisht, por do jem pak më kritike.
Në terren pashë qartë dhe dëgjova atë që më thanë njerëzit dhe specialistët, dhe këtu do të sjell atë që më thanë banorët. Lumi Devoll nuk është më ai i dikurshmi; shtrati është mbushur me rërë, është ngritur dhe nuk mban më prurjet. Nga Zëmblaku e deri më poshtë situata është e njëjtë. Një mur artificial rrezikon të dalë jashtë shtratit lumin Devoll. Pastrimi i plotë nga lart deri në fund çdo vit është shumë i rëndësishëm.
Dëgjova shpesh të thuhet emergjencë, fondi i emergjencës, por kjo nuk është vetëm një punë emergjence, kjo është një punë sistemi parandalues. Në një ditë ku bie shi sa një muaj, nuk është çudi që mbytën fushat. Uji nuk pyet për kufij teknik apo afate politike, uji shkon atje ku gjen rrugën, dhe rruga këtë herë ishin shtëpitë, tokat dhe jeta e njerëzve.
Banorët më përmendën një zgjidhje të vjetër: brezat pyjorë, plepat dhe bimësi e lartë që kanë qenë mburoja natyrore e fushës së Korçës. Është zgjidhje e provuar. Ato breza ulin shpejtësinë e prurjeve, mbrojnë tokën nga erozioni dimrit dhe krijojnë stabilitet natyror. Ato duhen rikthyer përgjatë lumenjve në tokat e lira, sepse një brez pyjor vlen më shumë se një metër kub beton.
Në pikat e rrezikut ku Devolli del dhe kryen argjinaturën, duhen vepra mbrojtëse të qëndrueshme: mure me gurë dhe struktura që mbajnë lumin në shtrat në ditët e vështira. Gjithashtu, duhet që të zbatohet projekti i ribonifikimit të Fushës së Maliqit, që ka vite që rri në sirtar. Thellimi i Devollit me segmentet kritike dhe pastrimi i sektorëve nuk janë ide, por domosdoshmëri. Njerëzit më thanë që kjo është çështje mbijetese.
Një problem tjetër i madh është ai i mjeteve, Maliqi ka 24 mijë hektarë tokë dhe 900 km kanale, dhe bashkia nuk mund ta mbajë këtë territor me dy skavatorë. Duhet pajisje të reja për të parandaluar përmbytjet e ardhshme, edhe ujitja kërkon një zgjedhje të qëndrueshme. Stacione të reja pompimi në urën e Maliqit dhe Norman, zgjerim për pastrimin e rezervuarit të Zëmblakut, dhe mbi të gjitha tarifë e diferencuar e energjisë për pompat e ujitjes, sepse uji është baza.
Vlerësimi i dëmeve ka nisur, por njerëzit kërkojnë realizëm dhe integritet. Fleta e dëmit duhet të pasqyrojë të vërtetën që kanë përjetuar, jo një procedurë të mbyllur në letër.
Është e rëndësishme të përmend edhe rrugën e Sheqerasit, e dëmtuar nga punimet emergjente për të ndalur çarjen e lumit Devoll, sepse ajo rrugë është arteria e jetës së përditshme të banorëve.
Fusha e Korçës është pasuri kombëtare, por pasuritë nuk mbrohen me copa. Kërkohet plan, siguri dhe respekt për punën e njerëzve që çdo ditë janë në arë. Banorët më thanë vetëm kaq: “Mos na lini të fillojmë nga e para çdo vit.”