Vendosni fjalën kyçe....

IDF krijon divizionin e ri të inteligjencës artificiale “Bina” për të modernizuar kapacitetet operacionale



Drejtoria e C4I dhe Mbrojtjes Kibernetike e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) ka njoftuar krijimin e një divizioni të ri operacionalo-teknologjik të dedikuar inteligjencës artificiale, i quajtur “Bina” (hebraisht për “inteligjencë”). Divizioni i ri do të udhëhiqet nga Brig. Gjeneral B. dhe do të ketë në fokus zhvillimin e sistemeve të avancuara të AI-së për rritjen e efektivitetit të ushtrisë në fushë, përcjell YNetNews.

Shumica e njësive ekzistuese që punonin me teknologjitë e inteligjencës artificiale — përfshirë Shahar, Matzpen, Mamram, Qendrën e Ekselencës së AI-së dhe Shkollën e Softuerit dhe Informacionit (Basmach) — janë bashkuar nën këtë strukturë të re.

Kreu i Drejtorisë, Maj. Gjeneral Aviad Dagan, deklaroi se synimi është ndërtimi i një sistemi të integruar që do të përgatisë IDF-në për sfidat e së ardhmes.
“Që një tank të kthehet në njëqind tanke, një ushtar në njëqind luftëtarë,” u shpreh ai, duke theksuar se teknologjia do të sjellë përparësi të menjëhershme në terren.

Një prej zhvillimeve më të fundit është një mjet softuerik që transkripton në kohë reale të gjitha komunikimet radio të IDF-së, i përpunon me AI dhe u jep komandantëve të dhënat e nevojshme pa pasur nevojë për raporte tradicionale.

Divizioni “Bina” është pjesë e një riorganizimi të thellë brenda Drejtorisë, që përfshin edhe mbylljen e njësisë Lotem, dikur qendra kryesore e softuerit të IDF-së.

Do të krijohet gjithashtu divizioni i klasifikuar “Sphera”, i fokusuar në komunikime strategjike dhe spektër — nga toka, deti dhe ajri, deri në hapësirë dhe zona kohore. Ky divizion do të drejtohet nga Brig. Gjenerale Racheli Dembinsky, ish-drejtuesja e Mamram.

Një tjetër njësi e re, Divizioni i Ndërtimit të Forcës, do të merret me strategji, politikë dhe zhvillim kapacitetesh brenda Drejtorisë. Ai do të komandohet nga Brig. Gjenerale Yael Grossman, ish-kreu i Lotem.

Divizioni i Mbrojtjes Kibernetike dhe ai i Operacioneve do të vijojnë të funksionojnë, me forcime të reja në burime, personel dhe teknologji.

Ristrukturimi vjen pas një analize të thelluar mbi mënyrën më të mirë për t’u përshtatur me teknologjitë globale në zhvillim të shpejtë dhe mësimet e nxjerra nga lufta Swords of Iron. Modeli i ri u jep secilit divizion autonomi të plotë për të ndërtuar, operuar dhe zhvilluar teknologjitë e veta — nga sistemi në re, te AI, kibernetika dhe spektri.

Drejtoria e C4I dhe Mbrojtjes Kibernetike, e krijuar në vitin 2003, mbetet përgjegjëse për ndërtimin dhe operimin e kapaciteteve dixhitale dhe shumë-domainëshe të IDF-së. Maj. Gjeneral Dagan, ish-pilot luftarak dhe bashkëthemelues i disa start-upeve civile, udhëhoqi personalisht misione gjatë luftës së fundit, përfshirë edhe fluturime operacionale mbi Iran, sipas raporteve lokale.